Tërmet i fortë me magnitudë 7.4 godet Indonezinë, një viktimë
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë ka goditur brigjet e Indonezisë lindore mëngjesin e së enjtes. Lëkundja sizmike ka shkaktuar panik në mesin e banorëve, dëme materiale dhe humbjen e jetës së një personi.
Sipas United States Geological Survey, epiqendra e tërmetit ishte në Detin Moluccas, në një thellësi prej rreth 35 kilometrash. Pas tërmetit, autoritetet lëshuan një paralajmërim për cunami, pasi u raportuan valë deri në 75 centimetra në disa zona. Megjithatë, alarmi u anulua më vonë.
Në qytetin Manado, banorët dolën me vrap nga shtëpitë dhe ndërtesat në panik. Një grua 58-vjeçare, Siti Rohayati, tregoi për momentet e frikshme gjatë tërmetit. “Nuk dija çfarë të bëja. Po përpiqesha vetëm të shpëtoja familjen time,” tha ajo, duke theksuar se prioriteti i saj ishte siguria e fëmijëve.
Autoritetet e kërkim-shpëtimit konfirmuan se një person humbi jetën pas shembjes së një ndërtese në Manado, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Ekipet emergjente janë në terren dhe po verifikojnë nëse ka pasur viktima të tjera.
Zona është goditur nga dhjetëra lëkundje pasuese pas tërmetit kryesor, përfshirë një me magnitudë 5.9 ballë. Autoritetet në Jakarta kanë konfirmuar se aktiviteti sizmik mbetet i lartë.
Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor kishte paralajmëruar fillimisht për rrezikun e valëve të rrezikshme deri në 1,000 kilometra nga epiqendra, duke përfshirë brigjet e Indonezisë, Filipineve dhe Malajzisë.
