Tërmet në jug të Shqipërisë, epiqendra në Skrapar
Dy lëkundje tërmeti, me magnitudë 3.9 dhe 4.0 ballë të shkallës Rihter, janë regjistruar pak pas mesnatës në jug të Shqipërisë. Këto të dhëna janë publikuar nga Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC).
Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete të vendit, duke përfshirë Elbasanin, Beratin dhe zonat përreth Skraparit. Sipas EMSC-së, tërmetet kanë ndodhur në orën 00:58 dhe 00:59, me epiqendër rreth 16 kilometra në jugperëndim të Çorovodës dhe 77 kilometra në jug të Elbasanit.
Thellësia e lëkundjeve ka qenë vetëm 2.5 kilometra. Kjo thellësi e vogël klasifikon tërmetin si të cekët, duke e bërë atë më të ndjeshëm në sipërfaqe.
Tërmeti është regjistruar rreth 104 kilometra larg Tiranës. Sipas raportimeve fillestare nga qytetarët në rrjetet sociale, lëkundjet kanë zgjatur disa sekonda, duke shkaktuar shqetësim, por deri më tani nuk janë raportuar dëme materiale apo viktima.
Ekspertët sqarojnë se një tërmet me magnitudë 4.0 është i moderuar, por mund të ndjehet qartë në ndërtesa, sidomos kur ndodh në thellësi kaq të vogël. “Tërmetet e cekëta shpesh perceptohen si më të forta nga popullata, edhe nëse magnituda është mesatare,” thuhet në shpjegimin teknik të EMSC.