Pre. Sht 21st, 2018

Terrorizohen pushuesit në Dhërmi

Dhjetra pushues në bregdetin e Dhërmiut kanë kaluar minuta terrori mbrëmjen e së shtunës në një nga lokalet më të frekuentura të zonës, tek Havana.

Një konflikt i nisur fillimisht me fjalë mes dy të rinjve dhe që precipitoi më pas në përleshje trupore dhe goditje me sende të forta ka përfunduar me të shtëna armësh duke terrorizuar shumë pushues që frekuentonin lokalin.

Ndonëse nuk ka persona të lënduar nga plumbat, disa dëshmitarë okularë janë lënduar nga copat e xhamave të gotave që janë thyer si dhe nga përplasjet në tentativë e sipër për t’u larguar, kur filluan të shtënat me armë.

Kolegu i InfoPasqyra/tch, Erjon Dushi ishte një nga dëshmitarët e kësaj ngjarje, shumë pranë tavolinës ku nisi konflikti dhe tregon momentet e vështira që përjetoi.

“Në fillim u goditën me shishe dhe gota. Kur krisën armët, të gjithë u shtrinë përdhe, ndërsa të tjerë shkuan në tualet ose dolën me vrap jashtë lokalit”, tregon Dushi.

Ndërkohë, policia ka identifikuar personin që ka qëlluar me armë, ai është 23-vjeçari Emiljano Nina, banues në Tiranë me precedentë të mëparshëm penalë. Edhe pse ai e kishte hedhur armën pas të shtënave, policia mundi ta gjejë së bashku me dy fishekë. Sipas policisë, konflikti mes 23-vjeçarit Nina dhe një tjetër personi emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte për motive të dobëta dhe i hershëm.

Një natë pas kësaj ngjarjeje, shumica e personave që ishin të pranishëm nuk e kanë frekuentuar plazhin, ndërsa pronarët e tij nuk kanë pranuar të japin asnjë prononcim.

Kjo ngjarje ka ngritur një pikëpyetje serioze: Sa të sigurtë janë pushuesit në zonat bregdetare dhe në mënyrë të veçantë, në lokalet që frekuentojnë gjatë orëve të natës? Në shumë klube meshkujt nuk lihen të hyjnë të pashoqëruar nga femra, ndërsa si në këtë rast, një prej klientëve ka mundur të hyjë me armë dhe të terrorizojë pushuesit me qitje në ajër.

InfoPasqyra/tch

Kategori