Hën. Sht 24th, 2018

Thaçi: S’ka ndarje të Kosovës dhe as shkëmbim territoresh

TIRANË, 6 shtator. – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot në Tiranë se “është shumë e rëndësishme të arrihet marrëveshja paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Realisht jemi në një situatë të ngrirë, një status-quo, që për mua shënon regres. Ne duhet të lëvizim drejt një progresi, drejt një marrëveshje konkrete”.

Në një intervistë televizive, Thaçi tha se “është një proces shumë i ndjeshëm, një angazhim për marrëveshje historike ligjërisht detyruese në rrafshin ndërkombëtar. Jam shumë pak optimist për marrëveshjen, por shoh një dritë në fund të tunelit, pasi është një problem mbi një shekullor, një konflikt, një armiqësi, një urrejtje shumë e thellë dhe shumë e gjatë në kuptimin kohor dhe njerëzit nuk janë mësuar që të arrihet marrëveshje miqësore mes Kosovës dhe Serbisë, apo mes shqiptarëve dhe serbëve”.

“Por, ajo marrëveshje është e nevojshme dhe e domosdoshme. Pse? Për mua si president nuk është e mjaftueshme që vetëm të jemi të lirë e të pavarur, qëllimi është anëtarësimi në NATO dhe BE”, – nënvizoi Thaçi.

Aktualisht, vijoi ai, ne jemi duke e bllokuar njëra-tjetrën, edhe Kosova, edhe Serbia.

“Kosova që të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe të fitojë njohjen globale, ndërsa Serbia është e bllokuar në rrafshin e integrimeve europiane”, – tha Thaçi.

“Kush do të mund ta bindte Serbinë ta njohë Kosovën? Dëgjoj opinione se duhet të ndodhë njohja, por unë nuk kam fuqi ta bind Serbinë që ta njohë Kosovën. Jam në formën më të mirë të energjisë, nuk jam i lodhur. Atë përpjekje, zotim, vendosmëri nuk e shoh në botë, që dikush mund ta bindë Serbinë që ta njohë Kosovën. Le të më bindë dikush dhe unë do t’i duartrokas dhe do t’i rri mbrapa”, – theksoi Thaçi.

Kreu i shtetit të Kosovës deklaroi sërish se, nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe as shkëmbim.

“Nuk do të lejoj ndarje të Kosovës, shkëmbim të territoreve dhe nuk do të lejoj me asnjë çmim një “Republikë Srpska”. As Trepça dhe as Gazivoda me asnjë çmim nuk do të ndahen nga Kosova”, – tha Thaçi.

Presidenti Thaçi sqaroi se ideja që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës është konkretizuar pas takimeve që kam pasur me liderët e Luginës.

“Nuk ka terma konkretë të marrëveshjeve, unë kam hedhur idenë pas takimit që kam zhvilluar me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, atë kërkesë e kam deklaruar publikisht, para gjithë kombit dhe para gjithë botës. Do ta institucionalizoj këtë ide në tavolinën në Bruksel”, – shtoi ai.

Thaçi tha se “marrëveshja që do të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë e koordinuar 100% me SHBA-në dhe BE-në, si dhe me përfaqësuesit politikë të Kosovës”.

Ai theksoi se “qytetarët do të vendosin me referendum për marrëveshjen”.

“A jeni që Kosova të anëtarësohet në NATO, BE, OKB dhe në institucione tjera ndërkombëtare? Po dhe Jo”, – sqaroi Thaçi për tekstin që do të jetë në referendum. /k.s//e.caushi/

Kategori