Thatësira nxjerr mbetje njerëzore nga Liqeni Mead

Thatësira nxjerr në dritë më shumë mbetje skeletore nga Liqeni Mead në Nevada

Rënia e nivelit të ujit në Liqenin Mead të Nevadës ka sjellë në sipërfaqe mbetje të dyshuara njerëzore. Mes tyre është identifikuar një pjesë e nofullës me dhëmbë të vendosur.

Shërbimi i Parqeve Kombëtare të SHBA-së ka konfirmuar marrjen e raporteve për gjetjen e mbetjeve skeletore përgjatë brigjeve të liqenit. Autoritetet kanë nisur një hetim për rastin.

“Incidenti është nën hetim dhe aktualisht nuk disponohen informacione shtesë”, thuhet në njoftimin e autoriteteve amerikane.

Liqeni Mead, rezervuari më i madh i krijuar nga njeriu në Shtetet e Bashkuara, po përballet prej vitesh me një rënie të ndjeshme të nivelit të ujit. Kjo situatë është pasojë e thatësirës së zgjatur që ka prekur rajonin perëndimor të vendit. Niveli i ujit ka qenë në rënie që prej vitit 2000.

Sipas të dhënave zyrtare, javën e kaluar niveli i ujit zbriti në rreth 316 metra mbi nivelin e detit, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të ulët të regjistruar në korrik të vitit 2022.

Kjo nuk është hera e parë që rënia e ujit në liqen nxjerr në pah mbetje njerëzore. Në vitin 2022, gjatë një periudhe të rënies së konsiderueshme të nivelit të Liqenit Mead, u zbulua një trup i pajetë brenda një fuçie, i cili mendohet se mund t’i përkiste viteve 1970 ose 1980. Në të njëjtën periudhë u gjetën edhe mbetje të tjera skeletore.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën dhe identitetin e mbetjeve të zbuluara së fundmi.

Scroll to Top