TikTok krijon varësi, KE ngre alarmin për fëmijët

TikTok krijon varësi, Komisioni Evropian ngre alarmin: Truri i përdoruesve kalon në “autopilot”, fëmijët mund të dëmtohen

Komisioni Evropian ka ngritur alarmin, duke theksuar se dizajni i TikTok-ut, i cili krijon varësi, shkel Aktin e Shërbimeve Digjitale të Evropës dhe nuk arrin të mbrojë në mënyrë adekuate përdoruesit.

Sipas Komisionit, aplikacioni i videove mbështetet në veçori që nxisin varësinë, siç është “lëvizja pa fund” (infinite scroll). Kjo veçori ofron vazhdimisht përmbajtje të re sa herë që përdoruesi rifreskon ekranin.

Këto karakteristika dizajni, sipas rregullatorëve, vendosin trurin e përdoruesve në “autopilot” dhe inkurajojnë sjellje kompulsive, si hapja dhe shfletimi i përsëritur i aplikacionit.

Gjetjet paraprake reflektojnë presionin në rritje mbi platformat e mediave sociale lidhur me kohën e kaluar para ekranit, veçanërisht për fëmijët dhe adoleshentët. Rregullatorët globalisht po vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje nëse kompanitë e teknologjisë po bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur përdoruesit e rinj nga veçoritë e dizajnit që krijojnë varësi.

Komisioni Evropian ka shtuar se TikTok duket të mos jetë në gjendje të prezantojë mbrojtje të mjaftueshme kundër rreziqeve që paraqesin veçoritë e tij që krijojnë varësi.

“Varësia nga mediat sociale mund të ketë efekte të dëmshme në zhvillimin e mendjeve të fëmijëve dhe adoleshentëve,” tha Henna Virkkunen, zëvendëspresidente ekzekutive e Komisionit Evropian për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë.

“Akti i Shërbimeve Digjitale i bën platformat përgjegjëse për efektet që mund të kenë te përdoruesit e tyre. Në Evropë, ne zbatojmë legjislacionin tonë për të mbrojtur fëmijët dhe qytetarët tanë në internet,” shtoi ajo.

Scroll to Top