TikTok në Shqipëri: Filtra, Angazhime dhe Siguri Online

Qeveria premton pasi hapi TikTok-un: Do të vendosim filtra me fjalë kyçe shqip, plan kombëtar për ndërgjegjësimin

Rrjeti social kinez, TikTok u rihap në Shqipëri, me vendim të qeverisë, një vit pas bllokimit. Këshilli i Ministrave informoi se po punohet për filtra sigurie, ndërsa paralelisht u përballën në Gjykatën Kushtetuese me një padi që akuzon qeverinë se shkeli lirinë e shprehjes duke e mbyllur platformën në marsin e vitit 2025.

Qeveria, përmes Ministrisë së Arsimit, informoi gjykatën se nuk ka marrëveshje me TikTok, por kompania ka marrë disa angazhime. Gjyqtarja Marjana Semini pyeti: “A jemi më të sigurt tani? A u vendosën filtra? Keni protokolle zyrtare me TikTok?”

Herald Jonuzaj, përfaqësues i qeverisë, u përgjigj: “Kemi arritur dakordësi me TikTok për të vendosur filtrat.”

Ministri i Arsimit, Erzen Tola, shtoi se platforma do të zhvillojë sensibilizim përmes një cikli videosh ndërgjegjësuese për kujdesin prindëror dhe rreziqet e përdorimit nga fëmijët. “Me TikTok jemi dakordësuar për të vendosur filtra me fjalë kyçe në gjuhën shqipe,” tha ai, duke specifikuar se TikTok do të vendosë filtra me fjalë dhe shprehje në shqip për të kufizuar përdorimin e caktuar. Gjithashtu, në platformë do të vendosen linja telefonike dhe e-maile të institucioneve tona ku çdo ankesë mund të adresohet menjëherë nga TikTok, i cili ka marrë përsipër të jetë në kontakt me autoritetet shqiptare.

Gjyqtarja Sonila Bejtja pyeti nëse marrëveshja është me shkrim. Herald Jonuzaj sqaroi se ka një angazhim, por jo një marrëveshje në kuptimin ligjor, pasi kjo kërkon vullnetin dhe pjesëmarrjen e dy palëve.

E pyetur nëse platforma do të bllokohet sërish nëse filtrat nuk funksionojnë, përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola, njoftoi se do të ketë një event publik brenda muajit shkurt ku TikTok do t’i shpallë këto angazhime. Herald Jonuzaj shtoi se nëse vërehet që filtrat nuk vendosen ose angazhimi nuk përmbahet, do të mblidhen sërish për të vlerësuar masat.

Edhe pse mbyllja e platformës u njoftua nga Kryeministri Edi Rama si një ndërhyrje pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës së tij, qeveria u tha gjyqtarëve se ngjarja nuk lidhej drejtpërdrejt me vendimin. Gjyqtari Ilir Toska pyeti se si lidheshin të miturit me TikTok dhe jo me platformat e tjera, dhe si provohej që vrasja e Martin Canit lidhej me masën. Gjyqtarja Sonila Bejtja theksoi se “s’mund të digjet i njomi me të thatin”.

Herald Jonuzaj deklaroi se qeveria nuk e mbylli TikTok për shkak të ngjarjes së rëndë, duke sqaruar se media lidhi ngjarjen me TikTok, por jo qeveria. Sipas tij, ndërhyrja erdhi sepse Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) kishte ankesa për TikTok, materialet fshiheshin por nuk merreshin masa për të ardhmen, dhe mbyllja ishte mjeti i vetëm për të garantuar sigurinë e fëmijëve.

Qeveria kërkoi që kontrolli kushtetues të pushonte pasi TikTok u rihap, por gjykata pranoi kërkesat e dy organizatave mediatike, AGSH dhe BIRN, që gjykimi të vazhdojë pasi ka interes publik. Konkluzionet përfundimtare do të jepen më 23 shkurt.

Reagimi i plotë i Kryeministrisë:

Agjencia për Media dhe Informim sqaron median dhe opinion publik në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave datë 03.02.2026 për heqjen e masave të përkohshme për ndalimin e aksesit në platformën online TikTok.

Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm.

Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për filtra mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrolle të përmbajtjes dhe modalitete më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve. Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimit të një kulture sigurie në hapësirën online. Kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike.

Scroll to Top