Një lajm historik për fushën e Anestezi-Reanimacionit dhe Mjekësisë Shqiptare: Shoqata Shqiptare e Anestezi-Reanimacionit (ASAI) është shpallur fituese me projekt-draftin e saj nga Komisioni i posaçëm i Bordit Drejtues të ESAIC (European Society of Anesthesiology and Intensive Care).
Tirana është përzgjedhur si qyteti mikpritës për Kongresin Evropian të Vjeshtës, në formatin ESAIC – CONNECT, Albania 2026. Ky vendim shënon një moment historik, pasi për herë të parë një kongres evropian i ESAIC, një nga komunitetet më të mëdha mjekësore në Evropë, do të zhvillohet në Evropën Juglindore.
Kjo arritje konsiderohet një moment krenarie për komunitetin mjekësor shqiptar, duke vendosur Shqipërinë në hartën e ngjarjeve më prestigjioze ndërkombëtare.
Në këtë kongres pritet të marrin pjesë anestezistë–reanimatorë nga rajoni dhe vende të ndryshme të Evropës, duke e kthyer Tiranën në një qendër të rëndësishme për shkëmbim profesional, akademik dhe shkencor.
Ky sukses i atribuohet përpjekjes së përbashkët dhe besimit se Shqipëria meriton të jetë pjesë e zhvillimeve europiane në shkencë dhe inovacion në mjekësi.