Mër. Dhj 19th, 2018

Tiranë, pastrimi i Parkut të Liqenit, tashmë me mjete moderne e ekologjike

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi nga Parku i Liqenit se, pastrimi i kësaj zone do të bëhet me mjete të teknologjisë së avancuar, automatike, e mbi të gjitha ekologjike “Euro6”, pra që nuk e ndotin mjedisin.

Kjo, pasi institucioni i drejtuar prej tij, i mbështetur edhe nga ambasada e Japonisë në Tiranë përmes projektit “Grassroots Human Security”, e ka pajisur Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit me makineri e kosha që mundësojnë një pastrim më të shpejtë dhe efikas, sidomos të zonës së Parkut të Liqenit.

Kryebashkiaku Veliaj falënderoi miqtë japonezë për këtë.

“Para pak javësh, me ambasadorin japonez firmosëm një marrëveshje që mundëson një sistem të ri pastrimi, ekologjik, eficent, që e bën xixë në kohë rekord Parkun e Tiranës, që njerëzit të gdhihen çdo mëngjes e të gjejnë një park të pastruar nga fillimi në fund, në 2 milionë metra katrorë. Pas asaj marrëveshjeje, sot kemi një sistem të ri me mjete ekologjike, që mbledhin të gjitha mbeturinat, si për kosha të mëdhenj, si për kosha të vegjël”, tha Veliaj.

I shoqëruar edhe nga ambasadori i Japonisë në vendin tonë, Makoto Ito, Veliaj kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve, të cilët jo vetëm që nuk duhet të ndotin mjedisin, por edhe të kujdesen që mbetjet t’i hedhin në vendet e caktuara.

“Tani na duhet shumë bashkëpunim nga qytetarët. Duhet ta mirëmbajmë parkun, t’i hedhim mbeturinat atje ku duhet, të bëhemi pjesë e fushatës së mbjelljes së pemëve, të ulim lëvizjet me makinat private për distancat e vogla, që jo detyrimisht janë të nevojshme”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj vuri në dukje se burimi kryesor i ndotjes në kryeqytet janë makinat.

“Sot jemi në një situatë ku Tirana është më e pastër. I vetmi burim i ndotjes janë makinat. Tirana nuk ka fabrika, as oxhaqe, as uzina, do të thotë që nuk kemi ndotje industriale. E vetmja ndotje që vjen në Tiranë është nga tymi i makinave. Ftesa për qytetarët është të përdorim biçikletën, të ecim në këmbë, kështu heqim peshë, ulim shpenzimet dhe ndotjen e qytetit. Është e vetmja mënyrë! Qytete shumë më të zhvilluara e më të pasura se ne i kanë lënë makinat, jo se s’kanë parà t’i blejnë ato, por se kanë vendosur se nuk ia vlen të helmohen fëmijët për distanca që fare mirë mund të bëhen në këmbë”, u shpreh Veliaj.

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito theksoi se donacioni do të kontribuojë në mirëmbajtjen e Parkut të Liqenit, ndërsa vlerësoi ndryshimin rrënjësor që ka pësuar Tirana në vitet e fundit.

InfoPasqyra/tch

Kategori