A e parashikoi Top Channel rënien e Belinda Ballukut?
Ndryshe nga mediat e tjera pro-qeveritare, televizioni kombëtar i ka dhënë hapësirë kohët e fundit kritikëve dhe kundërshtarëve të zv/Kryeministres.
Vendimi i GJKKO-së për të ndaluar zv/kryeministren Belinda Balluku të hyjë në zyrë dhe për t’i mbajtur pasaportën peng, edhe pse në një farë mënyre u duk si një rrufe në qiell të pastër, ishte parashikuar në fakt nga një prej zërave më të fuqishëm propagandistikë të regjimit.
Në pamje të parë dukej sikur, ndonëse SPAK e mori të pandehur, Rama nuk do ta braktiste numrin dy të qeverisë. Ai dha sinjale se do të vazhdonte ta mbante në detyrë, edhe me çmimin e pengimit të drejtësisë. Këtë lojë e vijuan edhe shumë prej mediave pro-qeveritare, të cilat u mbrojtën Belinda Ballukun, duke pasqyruar aktivitetet e saj normalisht, sikur ajo të mos ishte tashmë e pandehur.
Por ama, në prapaskenë, dukej se po zhvillohej një lojë tjetër. Shikues të vëmendshëm të sinjaleve mes rreshtave, që jepen përmes mediave, kanë vënë re prej ditësh një ndryshim kursi editorial të Top Channel në raport me Ballukun.
Në ekranin më të madh kombëtar të vendit u vunë re thirrje drejtuar kritikëve të ashpër të zv/kryeministres, ndërkohë që ata nuk gjenin pasqyrim në pjesën dërrmuese të mediave. Edhe në përzgjedhjen e titujve të lajmeve kishte ndryshim. Nëse shumëkënd bënte sikur marrja e Ballukut si e pandehur nuk kishte ndodhur, në titujt e Top Channel citoheshin opozitarë të PD-së me akuza kundër saj.
Lehtësisht edhe sot mund të shihen tituj që citojnë Klevis Balliun, i cili ankohet se Balluku fshihet dhe nuk shkon në interpelanca, si dhe se asaj po i kalon buxheti më i madh sepse është ministrja që vjedh më shumë. Një lajm i veçantë i kushtohet bojkotit të deputetëve të BD-së kur Balluku mban fjalën. Një titull i kushtohet kundërshtarit të saj të madh Gaz Bardhit: “Duartrokitje për të pandehurën e SPAK”. Një tjetër pasqyron Berishën që e akuzon Belën për ‘manipulim dokumentash”.
Mund të përmenden edhe plot raste të tjera të ditëve të fundit, kur më e pakta që mund të thuhet është se Top Channel nuk ka treguar të njëjtin kujdes si mediat e tjera për të mbrojtur të pandehurën.
Në kushte normale, kjo vijë editoriale, në dukje korrekte, nuk do të duhej të kishte lënë shenjë. Por shpesh Top Channel është akuzuar se ka luajtur lojën e Ramës dhe ka organizuar fushata sulmesh me porosi të kryeministrit kundër ‘vëllezërve të tij armiq” brenda partisë apo qeverisë. Ish-zv/kryeministri Ahmetaj ka pretenduar se një gjë e tillë ka ndodhur kundër tij. Ai ka pranuar gjithashtu se kur ka qenë pjesë e kabinetit ka qenë në dijeni që Topi, me porosi, ka sulmuar Fatmir Xhafën apo Ditmir Bushatin.
Prandaj pyetja që shtrohet është: A është ky edhe rasti i Ballukut? A është kjo shenja se Rama pranoi ta lëshojë numrin 2 të tij?
Për sa kohë që nuk ka prova, kjo mbetet vetëm një hamendje. Ajo mund të jetë edhe thjesht një sjellje korrekte profesionale e TV kombëtar. Por ama, një gjë është e sigurtë. Duke ndjekur Top Channel, kuptoje ditë më parë se Belinda Balluku ishte duke rënë.
©Lapsi.al
