Trafikantët zbulojnë metoda të reja për të furnizuar tregun korean me drogë, duke e paketuar atë si çaj kinez dhe duke e hedhur në oqean.
Banorët e ishullit turistik Jeju janë alarmuar nga dalja në breg të pako misterioze që ngjajnë me qese çaji kinez. Që nga muaji shtator, autoritetet kanë zbuluar brenda këtyre paketave ketaminë, një drogë e rrezikshme dhe e paligjshme në Korenë e Jugut.
Sipas Rojës Bregdetare të Jeju-së, janë sekuestruar rreth 28 kilogramë ketaminë, e mbështjellë me letër alumini dhe etiketuar me karakterin kinez për “çaj”, në të paktën tetë raste të veçanta.
Ketamina, e cila përdoret në mjekësi si anestetik, është e ndaluar për përdorim rekreativ. Autoritetet paralajmërojnë se abuzimi me këtë substancë mund të shkaktojë dëme të rënda në tru, zemër dhe mushkëri.
Alarmi në bregdet
Më 15 tetor, një pastrues plazhi gjeti 20 kg të këtyre paketave në bregun e Seogwipo-s, në jug të ishullit, duke shënuar sasinë më të madhe të zbuluar deri më tani. Këtë javë, mbi 800 persona, përfshirë ushtarë, policë dhe vullnetarë civilë, morën pjesë në kërkime të gjera përgjatë plazheve të qytetit Jeju, sipas raportimeve të Korea JoongAng Daily.
Banorët shprehin shqetësim për rrezikun që i kanoset familjeve dhe fëmijëve të tyre. “Shpesh i sjell fëmijët e mi në këtë plazh. Është tmerruese të mendosh se ata mund të prekin diçka të tillë,” u shpreh një banore lokale, Kim, për median koreane.
Roja Bregdetare ka ngritur një njësi të posaçme hetimore për të gjurmuar origjinën e mundshme të drogës dhe rrugët e saj detare. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që paketat të jenë sjellë nga rrymat oqeanike, pasi zbulime të ngjashme janë bërë edhe në Pohang (Kore e Jugut) dhe në ishullin Tsushima të Japonisë.
Sipas profesorit Yoon Heung-hee nga Universiteti Hansung, pas këtij rasti mund të fshihet një sindikatë ndërkombëtare droge. “Disa grupe përdorin metodën e ‘gungës detare’, duke hedhur pako me drogë në oqean me gjurmues elektronikë për t’i rikuperuar më vonë,” shpjegon Yoon për The Hankyoreh. Ai shtoi se grupet kriminale mund të kenë shfrytëzuar kontrollet më të dobëta në portet dhe aeroportet e Jeju-së për të kontrabanduar substancat e ndaluara në vend.
Autoritetet kanë paralajmëruar publikun që të mos prekin asnjë objekt të dyshimtë të gjetur në plazh dhe të njoftojnë menjëherë policinë.
