Dy persona janë dënuar për kontrabandimin në Britani të një grupi burrash shqiptarë me anë të një anijeje në Suffolk. Karolis Laurinavicius, 40 vjeç dhe Tomas Venclauskas, 41 vjeç u shpallën fajtorë për ndihmë në imigracionin e paligjshëm.
Në gjykatën e Kurorës në Ipswich u deklarua se si dyshja drejtoi një varkë me motor nga Southampton në Belgjikë dhe mori 5 persona para se të ktheheshin në Angli nëpërmjet Marinës Shotley, ku u kapën nga oficerët e Forcave Kufitare. Gjyqtari Martyn Levett tha se do të shpallte më vonë masën e dënimit, duke theksuar se “Dënimet që do të jap do të kenë një element pengues”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:25 të 15 prillit. Njëri nga 5 shqiptarët e trafikuar ishte 17 vjeç, dhe disa prej tyre, nëse jo të gjithë, u ishte refuzuar më parë hyrja në Mbretërinë e Bashkuar.
Laurinavicius dhe Venclauskas pretenduan se nuk kishin dijeni për shqiptarët dhe se nuk kishin planifikuar udhëtimin drejt Belgjikës, duke shpjeguar se humbja e rrugës dhe problemet me motorin i kishin çuar atje. Megjithatë, pas vetëm 4 orësh shqyrtimi, juria dha një vendim unanim fajtor për të dy të pandehurit.
