Tragjedi autobusi Zvicër: 6 viktima, zjarr i qëllimshëm

Tragjedia me autobusin në Zvicër, shqiptari dëshmitar i tmerrit: Një person i hodhi benzinë vetes dhe u vetëflakërua

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në mbrëmje në Kerzers, në kantonin e Fribourgut në Zvicër, ku një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në një autobus postar. Nga ky incident, gjashtë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur.

Sipas autoriteteve, pesë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe disa prej tyre janë dërguar me helikopter në spitale për trajtim mjekësor.

Policia bëri të ditur në një konferencë për shtyp se zjarri ishte vendosur qëllimisht, ndërkohë që rrethanat e sakta të ngjarjes ende janë duke u hetuar. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për një sulm terrorist.

Dëshmitarë okularë raportojnë se një person dyshohet se i vuri flakën vetes pasi hodhi benzinë mbi trup. Pamjet dhe fotografitë e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë autobusin përfshirë nga flakë të mëdha.

Në një video të regjistruar pak pas shpërthimit të zjarrit, një person i plagosur shihet duke vrapuar dhe duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjohen britma dhimbjeje. Sipas dëshmitarëve, ai ka thënë në shqip se një burrë kishte hedhur benzinë mbi veten dhe më pas i kishte vënë flakën trupit.

Pas incidentit, i plagosuri u ul në tokë ndërsa një kalimtar iu afrua për ta ndihmuar dhe e pyeti nëse kishte nevojë për ujë.

Sipas policisë, zjarri u vu nën kontroll brenda një kohe të shkurtër, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar saktësisht se si ndodhi ngjarja. Ka indikacione se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një person i vetëm, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Autoritetet kanë hapur gjithashtu një linjë telefonike për qytetarët që mund të kenë informacione lidhur me ngjarjen. Hetimet pritet të vazhdojnë gjatë gjithë natës.

Scroll to Top