Një tjetër tragjedi në ujërat e Mesdheut! Dhjetëra emigrantë humbasin jetën pas përmbytjeve të varkave në Itali dhe Turqi.
Trupat e 19 emigrantëve u nxorën nga një varkë pranë brigjeve të Lampeduzës të mërkurën nga roja bregdetare italiane, sipas kryebashkiakut të ishullit.
Kryebashkiaku Filippo Mannino tha se shtatë migrantë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, po merrnin trajtim për “hipotermi dhe helmim nga tymrat e hidrokarbureve”. Operacioni i shpëtimit u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 135 kilometra larg ishullit italian, brenda zonës së kërkim-shpëtimit të Libisë, raportoi agjencia ANSA.
“Besohet se të gjithë kanë vdekur nga hipotermia,” shkroi agjencia, duke përmendur erërat e forta, shiun dhe temperaturat e ulëta në zonë. Lampedusa është një pikë kyçe zbarkimi për emigrantët që përshkojnë Detin Mesdhe nga Afrika e Veriut, shumë prej të cilëve humbasin jetën duke provuar udhëtimin e rrezikshëm.
Ndërkohë, një varkë e shpejtë që transportonte emigrantë afganë u përmbys në Detin Egje të mërkurën, ndërsa përpiqej t’i shmangte rojes bregdetare në ujëra të trazuara, duke lënë 19 të vdekur, përfshirë një foshnjë, thanë zyrtarët.
Komanda e Rojës Bregdetare Turke deklaroi se varka, e cila transportonte dhjetëra emigrantë, injoroi paralajmërimet e përsëritura për t’u ndalur dhe u përpoq të ikte me shpejtësi të lartë. Varka filloi të mbushej me ujë në detin e trazuar dhe përfundimisht u përmbys. Të paktën 20 emigrantë të tjerë u shpëtuan.
Mbytja ndodhi pranë qytetit bregdetar të Bodrumit, një destinacion i njohur turistik në Turqi. Të gjithë emigrantët ishin nga Afganistani dhe mes viktimave ishte edhe një foshnjë, sipas Idris Akbıyık, guvernatorit të provincës Muğla ku ndodhet Bodrumi, siç u citua nga agjencia shtetërore Anadolu.
