Tragjedi në Egje: 15 viktima nga përplasja e anijeve

Tragjedi në Greqi: 15 viktima nga përplasja e anijes së Rojës Bregdetare me motoskafin

Një tragjedi e rëndë u shënua mbrëmjen e së dielës në ishullin grek të Xiosit, ku 15 persona humbën jetën pas një incidenti detar në Detin Egje. Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi pas përplasjes mes një anijeje të Rojës Bregdetare dhe një motoskafi që transportonte emigrantë.

Roja Bregdetare njoftoi se motoskafi po tentonte të afrohej në zonën e Mersinidit për të zbarkuar emigrantët, kur u dallua nga patrulla detare. Pas kësaj nisi një ndjekje, gjatë së cilës dy mjetet u përplasën.

Si pasojë, dy oficerë të Rojës Bregdetare pësuan lëndime të lehta. Në zonë vijon një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi.

Sipas Shërbimit Mjekësor të Emergjencës, 18 emigrantë janë dërguar në spital, mes tyre edhe një grua shtatzënë, si dhe dy efektivë të Rojës Bregdetare.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes. Dyshohet se disa nga viktimat kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes. Prokuroria ka mbërritur në vendngjarje për mbledhjen e provave, ndërsa helikopterë dhe mjete lundruese vijojnë kërkimet për persona të tjerë të mundshëm të zhdukur.

Scroll to Top