Tragjedi në Elbasan: Person i djegur, dyshohet aksident me rrymë

Gjendet një person i djegur në një banesë në Elbasan, dyshohet për aksident me rrymë elektrike.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Një person është gjetur pothuajse plotësisht i djegur brenda një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të një pallati.

Policia ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një 66-vjeçar, i identifikuar si Edmond Angjeli. Sipas dyshimeve paraprake, viktima mund të ketë rënë në kontakt me rrymën elektrike në banesën e tij, duke sjellë si pasojë humbjen e jetës.

“Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, – ka deklaruar policia.

Ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pasi banorët e pallatit kanë sinjalizuar për erë të fortë djegie dhe praninë e tymit. Zjarrfikësit kanë hapur me forcë derën e ambientit ku kanë gjetur 66-vjeçarin.

Si masë sigurie, energjia elektrike është ndërprerë prej rreth një ore në një pjesë të bllokut të banimit në lagjen “5 Maj”.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet se personi mund të ketë rënë aksidentalisht në kontakt me rrymën elektrike. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë as mundësinë e një tentative vetëvrasjeje.

Scroll to Top