Vritet me thikë 17-vjeçar shqiptar në Greqi, arrestohet i riu grek
Një debat mes dy të rinjve në Loutraki të Korinthit është kthyer në një tragjedi, ku humbi jetën një 17-vjeçar shqiptar, ndërsa u ndalua një 19-vjeçar grek.
Sipas autoriteteve greke, ngjarja ka filluar kur viktima, Aleks Vangjeli, 17 vjeç, me origjinë nga Berati, ka mbërritur në spital me plagë të shkaktuara nga një mjet prerës në zonën e barkut. Gjatë bisedës me mjekët, ai ka deklaruar se ishte përfshirë në një aksident me makinë. Për shkak të gjendjes së rëndë, ai u dërgua me urgjencë me ambulancë drejt Athinës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Ndërkohë, në një klinikë private në Korinth është paraqitur edhe një 19-vjeçar grek, i dëmtuar gjithashtu me thikë. Ai u ka deklaruar mjekëve se ishte përfshirë në një aksident automobilistik. Pas njoftimit të policisë, i riu grek është ndaluar dhe marrë në pyetje paraprake. Gjatë marrjes në pyetje nga agjentët, ai ka dhënë deklarata kontradiktore dhe jo bindëse, duke bërë që, me urdhër të prokurorisë, të ndalohet dhe të mbahet nën ruajtjen e policisë në klinikën ku po kurohet.
Shkaqet e përleshjes mes dy të rinjve nuk dihen ende, por dyshohet se debati ka qenë për motive të parëndësishme.
Viktima, Aleks Vangjeli, jetonte vetëm me të ëmën, pas divorcit të prindërve të tij.
