Tragjedi në Greqi: Vrasja e vjehrrës për borxhe kumari

Tragjedi në Greqi: Nusja vret vjehrrën për shkak të borxheve të kumarit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditë më parë në Greqi, duke u zbuluar sot. Një nuse ka masakruar për vdekje vjehrrën e saj 75-vjeçare. Viktima u vra për shkak të borxheve të mëdha të kumarit që kishte autorja. Vrasja u zbulua kur nusja shkoi për të grabitur paratë e familjes për të shlyer këto borxhe.

Autoritetet posedojnë një video incizim 35-minutësh me fjalët e fundit të gruas 75-vjeçare, e cila u vra nga nusja e saj në Salaminë. Në video dëgjohen kërcënimet e 46-vjeçares dhe lutjet e 75-vjeçares për të ndaluar dhunën. Nga dialogët, rezulton se viktima nuk e kuptoi se personi që e sulmonte ishte nusja e saj, duke supozuar se ishte një burrë. Në fund, dëgjohet gruaja duke thënë “Ati ynë”, një lutje para se të jepte shpirt.

Sipas provave të mbledhura nga autoritetet, varësia e 46-vjeçares nga kumari, pamjet e kamerave të sigurisë dhe gjurmët e gjakut të gjetura në makinën e saj, ishin dëshmitë që e tradhëuan. Skuadra e vrasjeve e kishte vënë nën fokus 46-vjeçaren që në fillim, si për shkak të profilit të saj (e njohur për prirjen drejt kumarit), ashtu edhe për shkak të kamerave në zonë, të cilat e tregonin duke hyrë dhe dalë nga shtëpia e viktimës, raporton “Protothema”.

Deklarata e 46-vjeçares në polici:

Autorja e krimit, duke folur në polici, ka deklaruar se arsyeja e hyrjes në shtëpinë e 75-vjeçares ishte për të marrë para, konkretisht 1100 euro. Ajo pretendoi se situata doli nga kontrolli kur mendoi se viktima e kishte kuptuar. Ajo shtoi se 75-vjeçarja i kishte dhënë më parë djalit të saj dhe bashkëshortit 10,000 euro për t’i ruajtur. Megjithatë, paratë humbën nga dikush (ende i paidentifikuar), gjë që bëri bashkëshortin të ndihej keq për paratë e nënës së tij. Ai mblodhi 8,000 euro dhe ia dha nënës, duke premtuar se do t’i kthente edhe 2,000 të mbetura. Më pas, ai arriti të mblidhte edhe 1,100 euro të tjera dhe po përgatitej t’ia jepte sërish.

Në këto rrethana, gruaja e tij, e cila dyshohet të jetë e varur nga bixhozi, mori këto 1,100 euro, luajti me to dhe i humbi. Për të mos u zbuluar nga bashkëshorti, ajo vendosi të hynte fshehurazi në shtëpinë e vjehrrës, të merrte 1,100 euro dhe t’i vendoste aty ku i kishte lënë burri i saj. Për këtë qëllim, ajo u informua nga kamerat e sigurisë, ndërroi drejtimin e tyre për të mos u filmuar, veshi maskë dhe doreza, mori një çekiç dhe u nis drejt shtëpisë së vjehrrës. Ajo theu xhamin e një dritareje, hyri me forcë dhe filloi ta kërcënonte gruan duke i kërkuar para. Kur viktima reagoi, autorja, duke besuar se ishte kuptuar, mori një shishe dhe e goditi në kokë, duke bërë që gruaja të binte në dysheme. Më pas, në gjendje shoku, ajo mori një thikë nga vendi i ngjarjes dhe e therri. Pas krimit, ajo u kthye në shtëpinë e saj, lau rrobat që kishte veshur dhe i hodhi në një kosh plehrash.

Fillimisht, hetimet u shtrinë në të gjitha drejtimet, ndërsa policia u përpoq, përmes deklaratave të të afërmve dhe personave që kishin akses në shtëpinë në rrugën Ikarou, të arrinte tek autorët. Pas një hetimi të plotë, ata arritën në gjurmët e gruas, e cila më në fund u dorëzua dhe rrëfeu krimin.

Scroll to Top