Tragjedi në Indiana: Nëna qëllohet për vdekje duke pastruar shtëpi

Tragjedi në Indiana të SHBA-së: Nëna e katër fëmijëve qëllohet për vdekje pasi pastroi shtëpinë e gabuar

Një histori tragjike, ku viktimë mbetet një nënë e katër fëmijëve, e cila gjithashtu punonte si pastruese, po bën jehonë në mbarë botën. 32-vjeçarja Maria Florida Rios Perez, nënë e katër fëmijëve, u qëllua për vdekje kur u paraqit pa dashje në shtëpinë e gabuar për të bërë punët e pastrimit.

Ngjarja tragjike ndodhi pak para orës 7 të mëngjesit të së mërkurës në Indiana. Perez dhe bashkëshorti i saj, Mauricio Velásquez, mbërritën në një adresë ku besonin se kishin marrë përsipër pastrimin e një banese.

Sipas autoriteteve, çifti bëri dy herë xhiron e bllokut për t’u siguruar se ishin në vendin e duhur. Kur iu afruan hyrjes, Perez u përpoq të fuste çelësin në derë, para se të dëgjohej një të shtënë.

“E pashë gruan time të bënte dy hapa prapa dhe pastaj të rrëzohej. Po përpiqesha ta ngushëlloja, por gjaku nuk ndalonte”, deklaroi i shkatërruar Velasquez për gazetën Indy Star.

Policia e Whitestown, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, konfirmoi se nuk kishte pasur asnjë tentativë grabitjeje, ndërsa autori i ngjarjes ende nuk është identifikuar. Autoritetet po hetojnë rrethanat e të shtënës.

Komuniteti lokal është tronditur nga ngjarja, duke e përshkruar Marian si një grua punëtore, të sjellshme, që i kushtonte jetën familjes së saj. Është krijuar një fushatë GoFundMe për të mbështetur bashkëshortin dhe katër fëmijët e saj, të moshës nga disa muajsh deri në 17 vjeç. Grumbullimi i fondeve ka kaluar tashmë gjysmën e objektivit prej 100,000 dollarësh.

Trupi i Perez do të transferohet në Guatemala, vendlindjen e saj. Bashkëshorti i saj kërkon vetëm “drejtësi dhe lutje” për familjen, duke thënë me lot në sy: “Nuk do të jetë e lehtë të rris fëmijët tanë vetëm”.

Scroll to Top