Irlanda tronditet nga një aksident i rëndë: Pesë të rinj humbin jetën, reagon kryeministri
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Irlandë, ku pesë të rinj humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik në qarkun Louth.
Sipas informacioneve të policisë, përplasja ka ndodhur kur një makinë me gjashtë pasagjerë është goditur nga një automjet tip SUV. Pesë viktimat, tre meshkuj dhe dy femra, të moshës 21 dhe 23 vjeç, udhëtonin drejt qytetit të Dundalk në momentin e përplasjes fatale.
Kryeministri irlandez, Micheal Martin, u shpreh se është “i shokuar dhe i tronditur” nga ngjarja, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe miqve të viktimave dhe të plagosurve. Në kisha të shumta anembanë Irlandës janë mbajtur lutje për të përkujtuar të humburit.
Policia ka bërë një apel për çdo dëshmitar të aksidentit, si dhe për këdo që mund të ketë pamje nga kamerat e automjeteve në zonë, të cilat mund të kenë regjistruar ngjarjen mes orës 20:30 dhe 21:15 të së shtunës, të kontaktojë menjëherë autoritetet.
Inspektori Liam Geraghty, duke folur pranë vendit të ngjarjes, theksoi se dita e diel ishte Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave të Aksidenteve Rrugore. “Ajo që ndodhi këtu mbrëmë na rikujton në mënyrën më të dhimbshme se sa shpejt mund të ndryshojë gjithçka në rrugët tona dhe tragjedinë që lë pas në familje, komunitete dhe të dashur,” tha ai.
Ai gjithashtu shtoi se nga fillimi i vitit deri më sot, 157 persona kanë humbur jetën në rrugët e Irlandës, një shifër pak më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
