Tragjedi në Itali: Shofer autobusi tifozësh vdes pas sulmi

Itali: Autobusi i tifozëve të Pistoias sulmohet, shoferi humb jetën

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në autostradën Rieti-Terni, ku njëri prej shoferëve të autobusit që transportonte tifozë të ekipit të Pistoias Basket ka ndërruar jetë pasi është goditur me gurë pranë Contigliano.

Sipas informacioneve fillestare, autobusi po kthehej drejt Toskanës, duke transportuar tifozët pas ndeshjes së Serie A2 mes Rietit dhe Estra Pistoias, e cila u fitua nga ekipi mysafir. Pak pasi kishte përfunduar shoqërimi i policisë, automjeti është goditur me gurë dhe objekte të tjera nga persona të panjohur.

Njëri prej gurëve ka goditur shoferin e dytë, Raffaele Marianella, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit. Ai ka humbur jetën menjëherë. 65-vjeçari nuk ka mundur t’i përballojë plagët e marra, pavarësisht ndihmës së dhënë nga ekipi i emergjencës.

Në bord udhëtonin tifozë të ekipit të basketbollit të Pistoias, të cilët po ktheheshin nga ndeshja e zhvilluar në PalaSojourner kundër Sebastiani Basket Rieti. Gjatë ndeshjes në fjalë, në tribuna pati momente tensioni, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë për të qetësuar situatën mes tifozëve.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për ngjarjen. Sipas raporteve paraprake, autorët, ende të paidentifikuar, mbanin veshur kapuçë. Klubi i Pistoias ka shprehur tronditjen për këtë ngjarje të rëndë, duke pritur rezultatet e hetimeve zyrtare.

Kryetari i bashkisë së Pistoias, Alessandro Tomasi, ka dënuar sulmin dhe i ka shprehur ngushëllimet familjes së viktimës:

“Një akt kriminal, ky sulm me gurë ndaj autobusit të tifozëve të Pistoia Basket pas ndeshjes kundër Rieti-t. Ne jemi me familjen e shoferit që u vra.”

Ministri i Sportit, Andrea Abodi, ka reaguar me hidhërim në rrjetin social X:

“Si mund të vdesë dikush kështu, teksa kthehet në shtëpi nga një ndeshje basketbolli? Sulmi i kryer këtë mbrëmje pranë Rietit nga kriminelë, të cilët u bënë vrasës dhe nuk mund të quhen kurrë tifozë, është tronditës. Ngushëllimet tona familjes së shoferit të dytë të autobusit të tifozëve të Pistoias, i cili u qëllua për vdekje.”

Scroll to Top