Tragjedi në Japoni: Vdes 22-vjeçarja australiane në resort skish

Një tragjedi ka ndodhur në një resort skish në Japoni, ku një 22-vjeçare australiane humbi jetën pasi çanta e saj u ngeci në një ashensor skish.

Viktima, Brooke Day, nga Queensland, Australi, po bënte snowboard në Tsugaike Mountain Resort, në qytetin Otari, kur ndodhi aksidenti fatal të premten, më 30 janar. Ajo ndodhej me pushime me miqtë.

Sipas autoriteteve lokale, aksidenti ndodhi gjatë zbritjes nga ashensori. Rripi i çantës së saj të shpinës u ngjiz në mekanizmin e ashensorit, duke e penguar të shkëputej. Stafi i resortit ndërhyri menjëherë duke aktivizuar butonin e emergjencës, por përpjekjet për ta liruar ishin të vështira pasi çanta ishte e lidhur fort pas saj.

Gjatë kësaj kohe, 22-vjeçarja u tërhoq disa metra në dëborë, pa mundur të çlirohej. Kur ekipet e shpëtimit arritën ta nxirrnin, ajo kishte pësuar arrest kardiak. Brooke Day u dërgua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’i mbijetojë plagëve. Vdekja e saj u konfirmua nga autoritetet japoneze.

Departamenti Australian i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë konfirmoi humbjen e jetës së 22-vjeçares dhe njoftoi se ambasada australiane në Japoni po ofron mbështetje familjes.

Pas incidentit, drejtuesit e Tsugaike Mountain Resort dhe operatori i ashensorit lëshuan një deklaratë publike ku kërkonin falje dhe njoftuan nisjen e një hetimi të brendshëm për të zbardhur shkaqet dhe për të rishikuar protokollet e sigurisë. Sistemi i ashensorit, që mund të transportojë deri në 1,000 persona në orë, u mbyll përkohësisht.

Ky aksident i ka rikthyer në diskutim sigurinë në sportet dimërore, sidomos rreziqet që mund të lidhen me çantat e shpinës dhe pajisjet e tjera gjatë përdorimit të ashensorëve të skive. Ekspertët paralajmërojnë se aksesorët e tillë, nëse nuk përdoren sipas udhëzimeve të sigurisë, mund të jenë burim rreziku serioz.

Ky rast i rëndë shtohet në një seri incidentesh të ngjashme të raportuara në qendra skish në mbarë botën, duke ngritur shqetësime lidhur me standardet e sigurisë dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së teleferikëve dhe ashensorëve.

Scroll to Top