Kaliforni/ Mbytet varka me emigrantë, humbin jetën katër persona
Katër persona humbën jetën kur një varkë, që dyshohet se po transportonte emigrantë, u përmbys në brigjet e Kalifornisë. Katër persona të tjerë u dërguan në spital, ndërsa një person i dyshuar u arrestua dhe po merret në pyetje lidhur me incidentin.
Disa nga personat e shpëtuar u identifikuan si meksikanë, ndërsa kombësia e të tjerëve mbetet e paqartë. “Ekipet tona dhe ato të agjencive tona partnere reaguan menjëherë, por ky incident nxjerr në pah rreziqet serioze me të cilat përballen emigrantët që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga deti, në anije të pasigurta”, tha Robert Tucker, komandanti i Rojës Bregdetare në San Diego.
Mijëra emigrantë kërkojnë të arrijnë në Shtetet e Bashkuara përmes Meksikës, në përpjekje për t’i shpëtuar varfërisë, dhunës dhe krizave politike në vendet e tyre të lindjes. Çdo vit qindra humbasin jetën në rrugën e rrezikshme tokësore drejt veriut, ndërsa numri i emigrantëve që përpiqen të arrijnë në Shtetet e Bashkuara nga deti, në anije të mbingarkuara dhe të rrezikshme, është rritur gjithashtu.
