Tragjedi në Kanada: 18-vjeçari kreu masakër në shkollë dhe më pas u vetëvra, kishte paralajmëruar krimin në ChatGPT
Zbulime të reja po dalin në dritë në rastin që tronditi Kanadanë më 11 shkurt, kur 18-vjeçari Jesse Strang kreu një masakër në një shkollë në komunitetin e vogël të Tumbler Ridge. Ai vrau nëntë persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë, para se t’i jepte fund jetës së tij me armë zjarri.
Origjina e dyshimtë e këtij krimi të rëndë duket të ketë lidhje me platformën ChatGPT. Kompania OpenAI kishte vënë re aktivitet të dyshimtë në një llogari që dyshohet të ishte e lidhur me autorin 18-vjeçar, disa muaj para sulmit të përgjakshëm.
Më 11 shkurt, Strang, pasi vrau nëntë persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë në shkollën e komunitetit, kreu vetëvrasje. Viktimat përfshinin një mësues 39-vjeçar dhe pesë nxënës të moshës 12-13 vjeç. Më parë, autori dyshohet se vrau nënën dhe gjysmëvëllanë e tij në shtëpinë familjare.
Sipas OpenAI, në qershor 2025 sistemet e tyre të zbulimit të abuzimit identifikuan aktivitet të dyshimtë në një llogari që mund të lidhej me “përshkallëzim të mëtejshëm të dhunshëm” dhe e çaktivizuan atë për shkelje të kushteve të shërbimit. Megjithatë, kompania nuk informoi më parë autoritetet kanadeze, duke argumentuar se nuk kishte “rrezik të menjëhershëm dhe të besueshëm për dëmtime serioze trupore” – kriter ky për njoftimin e policisë.
Pas tragjedisë, OpenAI njoftoi se kishte kontaktuar Policinë Mbretërore Kanadeze (RCMP) dhe ofroi informacion mbi përdorimin e ChatGPT nga autori, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me hetimet në vazhdim.
Kjo ngjarje ka hapur debate të forta mbi përgjegjësinë e kompanive të inteligjencës artificiale për sinjalizimin e sjelljeve të dyshimta dhe rolin e tyre në parandalimin e sulmeve të dhunshme.
