Shtatë të vdekur, përfshirë tre fëmijë, pas një sulmi me dron në Sudanin e Jugut
Shtatë persona humbën jetën të martën, mes tyre tre fëmijë, si pasojë e një sulmi me dron në qytetin Diling, në shtetin e Kordofanit Jugor, Sudan, sipas një burimi mjekësor raportuar për AFP.
Trembedhjetë persona të tjerë u dërguan në spitalin e Dilingut me lëndime, pas goditjes së disa dronëve në qytet, tha një banor për AFP. Ushtria e rregullt rifitoi kontrollin e qytetit në janar, duke i dhënë fund rrethimit të gjatë të Dilingut nga kundërshtarët e saj, paraushtarakët e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), pas gati tre vjet luftë.
Ministria e Jashtme sudaneze, e afërt me ushtrinë, dënoi dje “sulmet sistematike ndaj shtëpive të civilëve dhe infrastrukturës jetësore” nga RSF në Diling, El Obeid (kryeqyteti i shtetit të Kordofanit të Veriut) dhe Kosti (në shtetin e Nilit të Bardhë).
Pas pushtimit të El Fasher, bastioni i fundit i ushtrisë në rajonin e Darfurit, paraushtarakët po përqendrojnë operacionet e tyre në rajonin fqinj të Kordofanit. Ky rajon, i pasur me naftë dhe minerale, si dhe veçanërisht pjellor, ndodhet midis territoreve të kontrolluara nga ushtria në veri, lindje dhe qendër të vendit, nga njëra anë, dhe Darfuri nga ana tjetër.
Lufta në Sudan, e cila shpërtheu më 15 prill 2023, ka marrë jetën e dhjetëra mijëra njerëzve dhe ka zhvendosur miliona të tjerë, duke shkaktuar atë që OKB-ja e cilëson si “kriza më e keqe humanitare në botë”. Të dyja palët akuzohen nga bashkësia ndërkombëtare për mizori të panumërta, të cilat përbëjnë krime lufte, si shënjestrimi sistematik i civilëve, bombardimet pa dallim të zonave të populluara, përdorimi i dhunës seksuale dhe uria si armë.
