Tragjedia në Zvicër natën e Vitit të Ri: 40 viktima, zjarri nisi nga qirinjtë dekorues
Dhjetëra të rinj të plagosur në zjarrin që ra në një bar natën e Vitit të Ri në Zvicër janë transferuar në njësi të specializuara për djegie në të gjithë Europën me lëndime të rënda. Zjarri tragjik ka vrarë të paktën 40 persona.
Gjetjet fillestare, raporton Reuters, tregojnë se zjarri që u përhap mes turmës kryesisht të të rinjve në barin “Le Constellation” në vendpushimin zviceran të skive Crans-Montana, ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga qirinjtë ndriçues të përdorur për efekt dekorues, të cilët ishin vendosur shumë afër tavanit. Ky informacion u bë i ditur nga prokurori lokal.
Ndërkohë, hetuesit po punojnë për identifikimin e trupave të djegur. Ata paralajmëruan se ky proces është shumë i ndjeshëm dhe do të kërkojë kohë. Djegiet ishin aq të rënda sa zyrtarët zviceranë thanë se mund të duhen ditë para se të emërtojnë të gjithë viktimat e zjarrit.
Numri zyrtar i të vdekurve është 40, ndërsa 119 persona janë plagosur, shumë prej tyre në gjendje shumë të rëndë. Këto shifra nuk janë përfundimtare, thanë zyrtarët.
“Shumë prej të plagosurve ende po luftojnë për jetën e tyre”, tha shefi i zonës së Valais, Mathias Reynard, në një konferencë për shtyp. Rreth 50 nga të plagosurit janë transferuar ose do të transferohen në njësitë e djegies në spitale të tjera në Europë, shtoi ai. Gjermania dhe Franca janë ndër vendet që po trajtojnë disa nga të plagosurit.
