Trajneri i Rumanisë në spital pas sulmit në zemër, i vendoset defibrilator
Trajneri i kombëtares rumune të futbollit, Mircea Lucescu, është shtruar në spital pasi pësoi një sulm në zemër gjatë një seance stërvitore. Incidenti ndodhi ndërsa ekipi po përgatitej për ndeshjen miqësore kundër Sllovakisë.
Për të trajtuar gjendjen e 80-vjeçarit, atij iu vendos një defibrilator për të rregulluar ritmin e zemrës.
Lucescu, duke folur për transmetuesin rumun Golazo, ka sqaruar se po shërohet dhe se ngjarja erdhi si pasojë e ndikimit emocional të humbjes 1-0 të Rumanisë ndaj Turqisë në ndeshjen “playoff”. Turqia do të përballet sot me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ai shpjegoi se pas ndeshjes, u acarua dhe pati vështirësi në frymëmarrje. Lucescu konfirmoi diagnozën e tij si fibrilacion atrial, një gjendje që, sipas tij, e kishte prekur edhe më parë në Brescia, Itali, dhe në fund të vitit të kaluar.
Burimi: PANORAMASPORT.AL
