Transfertat hyrëse nga jashtë në llogaritë bankare të shqiptarëve u rritën përsëri në 2025
Transfertat hyrëse nga jashtë vendit në llogaritë bankare të individëve dhe bizneseve në Shqipëri shënuan rritje të mëtejshme vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, numri i transfertave nga jashtë në sektorin bankar shqiptar arriti në 8.85 milionë, duke u rritur me 9.7% krahasuar me vitin 2024.
Numri i transfertave ndërkombëtare hyrëse ka shënuar nivelin më të lartë historik dhe është rritur pesë herë e gjysmë krahasuar me vitin 2020. Megjithatë, ritmi i rritjes së transfertave hyrëse u ngadalësua ndjeshëm, krahasuar me rritjen prej gati 40% që ishte regjistruar në vitin 2024. Ngadalësimi i rritjes u vërejt si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.
Transfertat në llogaritë e bizneseve arritën në 8.27 milionë, me një rritje prej 9.4% krahasuar me vitin 2024. Ndërsa transfertat në llogaritë e individëve arritën në 586 mijë, duke u rritur me 13.3% krahasuar me një vit më parë.
Në total, sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat hyrëse nga jashtë në llogaritë bankare të bizneseve dhe individëve arritën vlerën e 932 miliardë lekëve, duke u rritur me 19% krahasuar me një vit më parë. Rritja e transfertave u ngadalësua edhe në vlerë, duke marrë parasysh se për vitin 2024 rritja kishte qenë pothuajse 43%. Vlera e transfertave nga jashtë, e raportuar në Lekë, në vitet e fundit është ndikuar edhe nga efekti negativ i kursit të këmbimit; në mungesë të këtij efekti, rritja do të kishte qenë edhe më e lartë.
Megjithatë, vitin e kaluar, forcimi i Lekut në raport me valutat e tjera, kryesisht me Euron, u ngadalësua. Për vitin 2025, kursi mesatar zyrtar i këmbimit Euro-Lek pësoi një rënie me 2.8%, krahasuar me 7.4% rënie gjatë vitit 2024 dhe 8.6% rënie gjatë vitit 2023.
Rritja e numrit dhe vlerës së transfertave hyrëse në vitet e fundit reflekton në masë të madhe zhvillimin e sektorit të turizmit dhe rritjen e eksportit të shërbimeve në përgjithësi, por pjesërisht edhe rritjen e transfertave personale dhe remitancave.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 9-mujorin 2025, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 2.1 miliardë euro, duke u rritur vjetore me 19.6%. Turizmi vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor në bilancin e pagesave të vendit, dhe sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, norma e rritjes është përshpejtuar krahasuar me nivelet e vitit 2024.
Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin 2024, shërbimet sollën të ardhura neto në ekonomi në vlerën e pothuajse 3.5 miliardë eurove, duke u rritur me 16.4% krahasuar me një vit më parë.
Kontribut pozitiv në bilancin e llogarisë korrente vazhdojnë të japin edhe remitancat. Për 9-mujorin 2025, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 817 milionë eurove, duke u rritur me 5.8% krahasuar me një vit më parë.
