Transporti publik kërkon kompensim për çmimin e naftës

Rritja e çmimit të naftës, Shoqata e Transportit Qytetas kërkon kompensim nga qeveria: Do të detyrohemi të reduktojmë numrin e autobusëve

Rritja e çmimit të naftës në vend, për shkak të nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, po ndikon ndjeshëm në kostot e operatorëve privatë të transportit qytetas. Kjo situatë ka nxitur Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas t’i drejtohet institucioneve qeveritare me një kërkesë për kompensim.

Në një letër dërguar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe bashkive, operatorët shprehin shqetësimin për rritjen e kostove, e cila vjen si pasojë e shtrenjtimit të naftës me 45 deri në 50 lekë për litër brenda një jave.

Shoqata kërkon marrjen e masave për vlerësimin e situatës dhe shqyrtimin e mundësisë për dhënie kompensimi për shtrenjtimin e çmimit të naftës. Në të kundërt, operatorët paralajmërojnë se do të detyrohen të reduktojnë numrin e autobusëve në lëvizje.

Sipas operatorëve, çmimi i naftës deri më 27 shkurt ka qenë rreth 142-145 lekë me TVSH. Aktualisht, ata furnizohen me çmim 187 lekë me TVSH, duke shënuar një rritje prej 42-45 lekë për litër brenda gati një jave.

“Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban dëshirojnë të sjellin në vëmendjen tuaj një problematikë shumë serioze që po prek aktualisht operatorët e transportit publik dhe që lidhet drejtpërdrejt me rritjen e ndjeshme të kostove operative, kryesisht të karburantit. Transporti publik përbën një shërbim me interes të lartë publik dhe një element të rëndësishëm të funksionimit të jetës urbane dhe interurbane. Operatorët që ofrojnë këtë shërbim përballen çdo ditë me një sërë kostosh operative, ndër të cilat karburanti përbën një nga zërat kryesorë të shpenzimeve.”

“Nga analiza e faturave të furnizimit me karburant të operatorëve të transportit publik rezulton se çmimi i naftës ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë periudhës së fundit. Konkretisht, nga faturat e furnizimit rezulton se para fillimit të krizës së fundit të çmimeve, çmimi i furnizimit me naftë për operatorët ka qenë rreth 145 lekë/litër. Në faturat më të fundit, çmimi i furnizimit rezulton me një rritje nga 45-50 lekë më shumë. Duke pasur parasysh se operatorët e transportit publik kryejnë furnizime të tilla disa herë në muaj për të mbuluar aktivitetin e përditshëm urban/interurban, kjo rritje përkthehet në një rritje shumë të konsiderueshme të kostove mujore dhe vjetore të operimit.”

Në këtë situatë, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon që të merren masa nga institucionet për nisjen e subvencionimit apo kompensimit për çmimin e naftës për operatorët e transportit.

Për sa më sipër, kërkohet nga institucionet përkatëse:

  • Vlerësimi i situatës së krijuar dhe ndikimit që rritja e çmimit të karburantit ka në kostot e operimit të transportit publik.
  • Shqyrtimi i mundësisë së aplikimit të mekanizmave kompensues ose subvencionues për karburantin e përdorur nga operatorët e transportit publik.
  • Vlerësimi i mundësisë së subvencionimit të drejtpërdrejtë të karburantit për sektorin e transportit publik ose krijimi i një mekanizmi të posaçëm mbështetës për këtë shërbim publik.

Në vitin 2022, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës nga nisja e luftës Ukrainë-Rusi, qeveria vendosi rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt gusht-shtator-tetor për kompanitë e transportit. Kjo masë nisi të zbatohej nga 1 nëntori 2022. E njëjta paketë u përdor për rimbursimin e naftës për muajt mars-prill-maj 2022. Ndërsa për muajt qershor dhe korrik, transporti urban në tërësi vuajti shtrenjtimin e kostove nga rritja e çmimit të naftës, pasi mungoi subvencionimi. Operatorët në muajin gusht paralajmëruan ndërprerjen e punës nëse nga qeveria nuk merreshin masa.

Scroll to Top