Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj, parashikon se sektori i transportit publik do të përballet me një rritje të numrit të pasagjerëve në vitin 2026, kryesisht për shkak të fluksit të turistëve.
“Për vitin 2026, sektori i transportit publik pritet të regjistrojë rritje të numrit të pasagjerëve, kryesisht për shkak të fluksit të turistëve,” tha ai. “Ndikimi pritet të jetë më i madh te transporti urban, ku gjatë verës së kaluar përdorimi ishte më i lartë se zakonisht midis qershorit dhe shtatorit, për shkak të pushimeve të shkollave dhe mbylljes së disa sektorëve të punës. Fluksi i turistëve bëri që operatorët të mos ulnin numrin e mjeteve në qarkullim.”
Transporti ndërqytetas pritet të ketë një ndikim të kufizuar, me përjashtim të disa linjave bregdetare me fluks turistësh. Megjithatë, numri i përdoruesve pritet të jetë më i lartë se në vitin 2025.
Z. Memaj thekson se çmimet e karburantit dhe energjisë mbeten faktorë kryesorë të kostove operuese. Shtimi i pagave dhe indeksimi i shpenzimeve personale pritet të rrisin presionin mbi pagat e shoferëve, mekanikëve dhe stafit për vitin 2026, duke sjellë kosto shtesë për kompanitë e transportit të pasagjerëve.
“Çmimet e karburantit dhe kostoja e energjisë mbeten faktorë kryesorë të kostove operuese për autobusët,” shtoi ai. “Megjithëse çmimet ndryshojnë, paqëndrueshmëria energjetike dhe luhatjet globale rrisin mundësinë e rritjes së kostove. Shtimi i pagave dhe indeksimi i shpenzimeve personale, siç parashikohet në projektbuxhet dhe njoftimet shtetërore për vitin 2026, rrit presionin mbi pagat e shoferëve, mekanikëve dhe stafit. Rritjet e pagave në sektorin publik ndikojnë shpesh edhe te pagat private në fusha si transporti, siç ka ndodhur më parë në sektorin e ndërtimit, ku tatimet publikuan listat e pagave sipas profesioneve.”
Në nëntor 2025, Bashkia e Kamzës miratoi rritjen e çmimit të biletave për dy linja urbane, nga 40 në 50 lekë, si dhe rritjen e abonimeve të linjës. Ky vendim erdhi pas mungesës së subvencioneve që operatorët kanë kërkuar vazhdimisht. Ndryshe nga Kamza, Bashkia e Tiranës subvencionon transportin urban prej më shumë se dy vitesh, ndërsa Kamza nuk ka dhënë sinjale mbështetjeje.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës thekson se rritja e çmimit dhe e abonimeve nuk është e drejtë, pasi preken vetëm dy linja, ndërsa të tjerat mbeten pa mbështetje. Ai tha se operatorët kombëtarë nuk kanë bërë kërkesa të unifikuara për rritjen e çmimeve për vitin 2026.
“Nëse subvencionet për linjat urbane vazhdojnë, nuk do të ketë kërkesa për rritje,” tha ai. “Ndërsa për linjat ndërqytetase, kërkesa për mbështetje ose indeksim të çmimit të biletës mund të bëhet vetëm në rast të rritjes së ndjeshme të kostove.”
Nga shtatori 2026, shoqëria “MobAI”, me kapital 100% shtetëror, do të kujdeset për organizimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës për funksionimin e transportit publik rrugor, përfshirë parkun e autobusëve, pikat e karikimit të mjeteve elektrike dhe sistemin e biletave elektronike. Me një vendim të miratuar në vitin 2025 nga Këshilli i Ministrave, është themeluar shoqëria aksionere me kapital 100% shtetëror “MobAl”, sh.a., me qëllim organizimin dhe operimin e shërbimit të transportit publik rrugor në Shqipëri. Shoqëria e re do të operojë si një strukturë publike, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të përfaqësojë shtetin si aksioner i vetëm.
Megjithatë, sipas kryetarit të Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, roli dhe funksionimi i saj ende nuk janë të qarta, pasi asnjë nga grupet e interesit nuk ka qenë pjesë e diskutimeve dhe nuk është dhënë ndonjë opinion mbi mënyrën e funksionimit.
“Aktualisht, për linjat ndërqytetase funksionon platforma ‘e-Transport’ nga e-Albania, ku bëhet aplikimi për certifikim dhe licencim,” tha ai. “Nuk dihet pse është menduar krijimi i një shoqërie shtetërore që të menaxhojë këtë pjesë të transportit.”
