“`html
Si u nda tregu ajror në vitin 2025 dhe destinacionet kryesore të shqiptarëve
Tregu ajror po vazhdon rritjen e tij, megjithëse me ritme më të ngadalta, i nxitur nga kthimi i Shqipërisë si destinacion turistik i preferuar dhe rritja e konkurrencës pas hyrjes së operatorëve me kosto të ulët. Në vitin 2025, një numër rekord prej 31 shoqërish ajrore operuan fluturime nga dhe drejt Rinasit. Megjithatë, tregu u dominua nga dy operatorë kryesorë, “Wizz Air” dhe “Ryanair”, të cilët transportuan rreth 76% të pasagjerëve. Milano (Bergamo) mbetet destinacioni më i kërkuar, i ndjekur nga Londra. Gjermania shënoi rritjen më të fortë gjatë vitit 2025. Rreth 62% e udhëtarëve ishin të huaj, duke shënuar një nivel rekord, krahasuar me 40% që ishte pesha e tyre një dekadë më parë.
Rinasi si qendër tranziti për rajonin dhe planet për fluturime drejt SHBA e Kanada
Qielli mbi Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i ngarkuar, ndërsa vendi po konsolidohet si një pikë hyrëse e fortë për turizmin në rajon, mbështetur nga zgjerimi i rrjetit të fluturimeve dhe konkurrenca e fortë mes operatorëve me kosto të ulët. Aeroporti i Rinasit (Tirana International Airport – TIA) po shndërrohet në një nyje kyçe për lëvizjen e turistëve, të cilët prej disa vitesh zënë peshën kryesore të pasagjerëve, duke kaluar vendasit. Pas një periudhe rritjeje shumë të shpejtë në vitet e fundit, tregu po hyn gradualisht në një fazë më të qëndrueshme zgjerimi.
Një numër rekord prej 11.6 milionë pasagjerësh fluturuan nga dhe drejt Rinasit në 2025, sipas të dhënave zyrtare nga “Tirana International Airport” (TIA), me një rritje prej 8.7% krahasuar me vitin e kaluar. Kthimi i vendit si destinacion turistik dhe hyrja e operatorëve me kosto të ulët vlerësohen si dy arsyet kryesore që kanë nxitur industrinë e fluturimeve në vend. Megjithatë, në vitin 2025 u vu re një ngadalësim i rritjes, në krahasim me periudhën 2020-2024, kur zgjerimi kishte qenë dyshifror (48% në vitin 2024 dhe 44% në vitin 2023).
Ngadalësimi ka ardhur kryesisht nga tregu i Italisë, drejt dhe nga i cili fluturojnë 40% e pasagjerëve. Lëvizjet me shtetin fqinjë u rritën vetëm 2.5% në 2025, nga 43% një vit më parë. Edhe shtetet e tjera panë ngadalësim, me përjashtim të Gjermanisë, e cila shënoi rritjen më të fortë në 2025.
“Është e rëndësishme të theksohet se aviacioni shqiptar është pjesë e dinamikave të tregut ndërkombëtar. Fundi i vitit 2024 dhe viti 2025 kanë qenë sfidues në industrinë e aviacionit. Viti 2025 përfaqëson një hap të konsoliduar drejt objektivit tonë strategjik afatmesëm prej 15 milionë pasagjerësh,” thotë Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketing në Tirana International Airport (TIA). Ajo shton se, në një këndvështrim global, mesatarja e rritjes së aeroporteve europiane ishte vetëm 4.5%, aeroportet e vendeve jashtë BE 6.2%, ndërsa aeroportet e kategorisë së TIA-s (10-25 milionë pasagjerë) vetëm 5.8%. “Pra, TIA udhëheq çdo tregues rritjeje në çdo kategori të aeroporteve europiane.”
Të huajt, “karburanti” kryesor i aeroportit
Sipas INSTAT, rreth 7.2 milionë pasagjerë, ose 61.6% e totalit në 2025, ishin të huaj. Ky nivel është rekord, krahasuar me 47% në 2019 dhe 30% në 2011.
Gara e operatorëve me kosto të ulët u ashpërsua në vitin 2024, me hyrjen e “Ryanair”, e cila mori një pjesë tregu nga “Wizz Air”. Ndërkohë, “Wizz Air” ra nga 61% e tregut në 2023 në rreth 55% në 2024. Në vitin 2024, “Ryanair”, në vitin e parë të plotë të aktivitetit, realizoi 22.4% të fluturimeve sipas numrit të pasagjerëve. Por, në 2025, të dy operatorët ruajtën pothuajse të njëjtën peshë tregu, duke pasur së bashku 76% të biznesit të fluturimeve të pasagjerëve, nga 77% në 2024, duke lënë pak hapësirë për konkurrentët e tjerë.
Italia vijon të mbetet destinacioni kryesor edhe në 2025, e ndjekur nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Milano (Bergamo), Londra, Bolonja, Treviso, Vjena, Stambolli mbeten qytetet më të vizituara. Në vitin 2025, nga Rinasi u fluturua në 108 qytete, kryesisht në Europë, por edhe jashtë saj, si në Azi (sidomos Lindja e Mesme), sipas të dhënave nga TIA.
Hyrja e operatorëve me kosto të ulëta ka sjellë çmime më të lira për udhëtarët, duke qenë një faktor kryesor që ka nxitur ardhjen e turistëve të huaj. Një biletë, prenotuar paraprakisht, kryesisht drejt Italisë, mund të blihet edhe me 20-30 euro në një drejtim.
Si u nda tregu në vitin 2025
“Wizz Air”, kompania me origjinë hungareze, mbetet operatori më i madh i fluturimeve ajrore në vend. Në vitin 2025, ajo ka kryer 54.3% të tregut të fluturimeve nga dhe drejt Rinasit, nga 54.8% në 2024 dhe 61% në 2023. Përmes kësaj linje ajrore me kosto të ulët kanë fluturuar 6.3 milionë pasagjerë, sipas të dhënave nga TIA.
“Kërkesa nga Tirana mbetet veçanërisht e lartë për linjat drejt Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, duke reflektuar si udhëtimet turistike, ashtu edhe vizitat te familjarë dhe miq,” thotë Ian Malin, Drejtor Komercial i “Wizz Air”.
Operatori tjetër me kosto të ulët, “Ryanair”, që hyri në treg në fund të 2023-t, në vitin 2024 mori 22.3% të udhëtarëve. Edhe në vitin 2025, pesha e tij mbeti në pothuajse të njëjtat nivele, duke zbritur lehtë në 21.9%. Në janar 2026, kompania njoftoi se do të shtojë në bazën e Tiranës avionin e katërt B737-800 nga prilli 2026 dhe do të hapë 20 linja të reja direkte.
“Lufthansa” dhe “Austrian Airlines” zunë përkatësisht 2.86% dhe 2.11% të tregut. Pesha e tyre është e qëndrueshme, teksa janë të përqendruara kryesisht në fluturimet tranzit drejt destinacioneve të largëta. Në vitin 2025, “Lufthansa” u rendit si operatori i tretë ajror më i madh në vend.
“Pegasus Airline”, me destinacion Turqinë, realizoi 2.54% të fluturimeve, duke u ngjitur në kompaninë e katërt më të madhe të tregut ajror. Problemet me “Air Albania” në fund të 2025-s, që anuloi një sërë fluturimesh drejt Stambollit, “ndihmuan” konkurrentin e saj të rrisë peshën në treg. “Air Albania”, që në vitin 2021 ishte operatori i dytë më i madh, me 17% të tregut, ka zbritur në vend të pestë në 2025-n, me një peshë prej 2.3%.
“Aegean Airlines” është operatori tjetër që ka arritur të ketë më shumë se 2% të tregut të fluturimeve në vitin 2025, duke ofruar lidhje direkte me tregun grek.
Aktiviteti i charter-ave kulmoi në vitin 2021. Pesha e tyre ra duke zbritur në 4% në vitin 2023 dhe 3.1% në 2024 dhe 3.17% në 2025-n, teksa operatorët me kosto të ulëta nisën fluturimet direkte në shumë destinacione europiane.
Në vitin 2025, në Rinas fluturuan gjithsej 31 operatorë (përveç charter-ave), nga 29 një vit më parë, por pjesa e tregut për 24 prej tyre është më pak se 1% secili.
Ndonëse numri i operatorëve u shtua, duke u ndihmuar nga fluksi i lartë i turistëve dhe zgjerimi i destinacioneve, operatorët e tjerë ajrorë nuk kanë arritur të fitojnë terren.
Ikin linjat direkte nga vendet arabe
Në vitin 2024, dy operatorë arabë kishin fluturime direkte përmes Rinasit: “SalamAir” nga Omani dhe “Jazeera Airways” nga Kuvajti. Të dy këta operatorë kishin 0.06% të tregut secili në 2024, por nuk figurojnë më në 2025. Arsyeja kryesore e largimit të turistëve nga këto vende në vitin 2022 ishte mungesa e qasjes për ushqim të dedikuar ‘hallall’. Edhe në vitin 2024, pavarësisht ofertave të agjencive nga vende si Omani, Riadi apo Emiratet, turisti i këtyre vendeve nuk e gjeti veten në Shqipëri, duke zbehur praninë në 2025.
Italia mbetet destinacioni kryesor ku udhëtojnë shqiptarët, rritja e fortë e Gjermanisë
Sipas statistikave të Eurostat, në Itali jetojnë të paktën 570 mijë shtetas shqiptarë. Italia mbetet destinacion i preferuar edhe për turizëm.
Në vitin 2025, rreth 40% e pasagjerëve (ose 4.6 milionë) udhëtuan nga Rinasi drejt qyteteve italiane dhe anasjelltas. Krahasuar me vitin e kaluar, fluksi i udhëtarëve u rrit me 2.5%, duke treguar një maturim të këtij segmenti. Nga Rinasi u fluturua në 22 qytete italiane në vitin 2025. Dominojnë Milano (Bergamo) dhe Roma.
Shqipëria është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për turistët italianë. Shtetasit nga Italia ishin grupi i dytë më i madh i turistëve në vend, me 1.3 milionë italianë që hynë në vend në 2025, ose 3.2% më shumë.
Në vend të dytë ka mbetur Gjermania, me 13.7% të lëvizjeve. Gjermania është shteti që ka shënuar rritjen më të lartë të trafikut ajror nga Shqipëria në vitin 2025. Nga dhe drejt qyteteve gjermane udhëtuan 1.55 milionë pasagjerë, ose 33% më shumë se viti i mëparshëm. Një shtysë këtij destinacioni i ka dhënë dhe rritja e interesit të gjermanëve për të vizituar vendin.
Mbretëria e Bashkuar (MB), sidomos Londra, është destinacioni i tretë për trafikun nga Shqipëria, me 8.7% të totalit. Në 2025, drejt dhe nga shteti ishullor udhëtuan 1 milion pasagjerë, me një rritje prej 5.3%.
Turqia ka vijuar të ruajë vendin e katërt, me 5% të udhëtimeve dhe rritje me 4.4% (nga 35% vitin e mëparshëm), me Stambollin që zë peshën kryesore (72%).
Polonia vijon të renditet në vendin e pestë, pavarësisht se interesi i polakëve për udhëtimet turistike në Shqipëri po vjen në rënie. Nga dhe drejt qyteteve të Polonisë kanë udhëtuar 485 mijë shtetas, me rënie prej 6.5% në raport me vitin 2024.
Franca është një tjetër destinacion që ka parë rënie të udhëtimeve. Në vitin 2025 fluturuan nga dhe drejt Francës rreth 465 mijë pasagjerë, me tkurrje prej 5%.
Austria është nga të paktat destinacione me rritje dyshifrore në vitin 2025. Trafiku drejt këtij shteti u rrit me 12%, në 444 mijë pasagjerë, vetëm në Aeroportin e Vjenës.
Një kafe në Milano (Bergamo), apo një shëtitje në Londër
Milano, që është e arritshme nëpërmjet dy aeroporteve (Malpensa dhe Bergamo), është destinacioni më i frekuentuar për fluturimet nga dhe drejt Rinasit. Në 2025, përmes këtyre aeroporteve, fluturuan 1.02 milionë pasagjerë, me një rënie prej 4.6%. Bergamo ka trafikun më të lartë me 658 mijë pasagjerë.
Londra mban vendin e dytë midis destinacioneve kryesore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, me 8% të udhëtimeve totale. Rreth 933 mijë udhëtarë shkuan apo erdhën në Mbretërinë e Bashkuar, me rritje 11.3%.
Bolonja ka mbetur në vend të katërt, me 505 mijë pasagjerë. Treviso është një tjetër qytet italian që ka arritur të ketë 464 mijë pasagjerë në vitin 2024.
Vjena është ngjitur në vend të gjashtë me 442 mijë pasagjerë. Krahas “Austrian Airlines”, hyrja e “Wizz Air” dhe më pas “Ryanair” ka bërë Vjenën një qytet të preferuar për turistët nga Shqipëria.
Nga dhe drejt Stambollit kishte 424 mijë pasagjerë, ose 4.1% më shumë se një vit më parë. Piza ka zbritur në vend të tetë, me 401 mijë pasagjerë.
Si turizmi po nxit industrinë ajrore
Në vitin 2025, në Shqipëri hynë një numër rekord prej 12.5 milionë të huajsh, dy herë më i lartë se në 2019, sipas INSTAT. Nga ajri hynë 29% e totalit të turistëve që erdhën në vend.
Që nga viti 2023, ka më shumë të huaj që udhëtojnë në aeroport sesa vendas, duke arritur në një rekord prej 61.6% të pasagjerëve në 2025-n. Numri i të huajve që hyjnë e dalin përmes TIA-s është rritur me shpejtësi, duke arritur në rreth 7.2 milionë në vitin 2025, nga 1.6 milionë në vitin 2019.
“Linjat ajrore me kosto të ulët kanë riformatuar gjeografinë e turizmit në Ballkan, duke sjellë më shumë turistë drejt rajonit,” thotë Manjola Kaso.
“Wizz Air” ka luajtur rol kyç duke e bërë udhëtimin ajror më të arritshëm dhe më të përballueshëm,” thotë Ian Malin.
Hapja e pritshme e një aeroporti të dytë në Vlorë pritet t’i japë hov të mëtejshëm turizmit, sidomos atij në bregdetin e Jugut. Megjithatë, duket se ka pasur vonesa në procesin e certifikimit dhe hapjes së tij, për shkak të çështjeve ligjore mes aksionarëve. Qeveria do të garantojë 138 milionë euro të ardhura për 10 vjet për koncesionarin e Aeroportit të Vlorës.
“`
