Tregu i Bimëve Mjekësore: Optimizëm dhe Rritje për 2026

Rikthehet optimizmi për tregun e bimëve mjekësore

Eksportuesit e bimëve mjekësore dhe aromatike shprehin optimizëm për vitin 2026, duke parashikuar një rritje të volumit të eksporteve.

Kryetari i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Shqiptare, Filip Gjoka, deklaron se trendi pozitiv i vënë re në muajt e fundit të vitit 2025 pritet të vijojë edhe gjatë 2026-s, me një shtim të volumit të eksporteve.

Sipas tij, kjo situatë i atribuohet pritshmërisë për rritjen e kërkesës në tregjet e huaja dhe rritjes së çmimeve të shitjes në eksport.

“Sektori i eksporteve të bimëve mjekësore dhe aromatike përballi vështirësi dhe humbje të ardhurash për rreth tre vjet, si pasojë e zhvlerësimit të monedhave të huaja. Në muajt e fundit të vitit 2025, situata filloi të përmirësohej, e nxitur nga kërkesa në rritje për bimë mjekësore në tregjet e vendeve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Singaporit dhe Australisë. Kjo kërkesë është veçanërisht e lartë për bimë si rrënja e qumështores, çaji i malit, boronica, mes të tjerash, si dhe nga shtrenjtimi i çmimeve për eksport.”

“Rritja e çmimeve me 4% deri në 10% arriti të kompensojë humbjet e të ardhurave për kompanitë eksportuese, të shkaktuara nga zhvlerësimi i monedhave të huaja. Edhe gjatë vitit 2026, ne parashikojmë të njëjtin trend rritës të kërkesës jashtë vendit, ndërsa çmimet do të vijojnë të jenë të kënaqshme. Sidomos nëse arrihet paqja mes Ukrainës dhe Rusisë, kërkesa në tregje do të jetë e lartë. Si rrjedhojë, presim që situata me eksportet të përmirësohet për vitin 2026”, theksoi zoti Gjoka.

Sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën janar–tetor 2025, importet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo mjekësore, ushqim për kafshët” u rritën me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Pavarsisht parashikimeve optimiste të eksportuesve për rritje të volumit të eksporteve dhe zgjerim në tregje të reja, zoti Gjoka thekson se problemi kryesor mbetet mungesa e investimeve për rritjen e kapaciteteve përpunuese të produkteve finale të përpunuara.

Vetëm 32% e operatorëve me potencial grumbullues, përpunues dhe eksportues arrijnë të prodhojnë produkt final të përpunuar, ndërsa 75% e tyre shesin produktet si lëndë e parë e papërpunuar, duke humbur kështu një pjesë të konsiderueshme të vlerës që mund të qëndronte në ekonominë vendase.

Zoti Gjoka shprehet se nuk parashikon rritje të investimeve për zgjerimin e kapaciteteve përpunuese të sektorit për vitin 2026. Ai gjithashtu thekson se kompanitë nuk kanë mundësi financiare për të investuar shuma të mëdha, dhe mbyllja e programit IPARD II mbetet një pengesë e pazgjidhur për zhvillimin e sektorit.

Riformatim i modelit të biznesit

Në vitin 2026, kryetari i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, deklaron se eksportuesit do të riformatojnë modelin e tyre të biznesit dhe do të kalojnë në një cikël të mbyllur operimi. Ky ndryshim pritet të ndodhë kryesisht te kompanitë kryesore të sektorit fason të tekstileve dhe këpucëve.

Ndërsa për sektorin e tekstileve, zoti Zusi thekson se sektori i bujqësisë dhe ushqimit nuk pritet të shënojë zhvillime të ndjeshme. Kjo për shkak të mosrespektimit të standardeve të sigurisë ushqimore, gjë që pritet të reflektohet edhe në rënien e prodhimit.

Scroll to Top