Tregu i energjisë, liberalizimi mbyll fazën finale
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë, i cili nisi në vitin 2018, ka finalizuar fazën e tij të katërt dhe të fundit më 1 janar të këtij viti. Tani, të paktën 2600 subjekte të lidhura në tension 6 kilovolt kanë detyrimin të sigurojnë vetë energjinë elektrike.
Shumica e këtyre subjekteve, rreth 2300, i janë bashkuar furnizimit nga Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL). Për 300 të tjerë, ky bashkim pritet të ndodhë pasi të kenë shlyer detyrimet e prapambetura ndaj Furnizuesit të Shërbimit Universal.
Më herët, në tregun e lirë dolën bizneset e lidhura në tensionet 35 kv, 20 kv dhe 10 kv. Ky hap final shënon përmbylljen e një procesi të parashikuar që në vitin 2015 me ligjin “Për sektorin e energjisë”.
Zbatimi i fazës së parë filloi në vitin 2018, duke futur në tregun e lirë mbi 70 subjekte të lidhura në tension 35 kv. Një përpjekje për të futur në tregun e lirë një grup më të madh biznesesh në tensionet 20 dhe 10 kv u tentua në vitin 2022. Megjithatë, kriza e energjisë dhe çmimet e larta në tregje “ngrinë” reformën, duke bërë që shteti të marrë përsipër sigurimin e energjisë përmes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Kjo situatë bëri që deri në fund të vitit 2023, bizneset në tension 20 kv të kishin si opsion Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (pjesë e Furnizuesit të Shërbimit Universal), ndërsa nga 1 janari 2024 të kalonin në tregun e lirë. Më 1 janar 2025, këtij grupi iu bashkuan edhe 2600 subjekte të tjera të lidhura në tension 10 kv, ndërsa 1 janari 2026 shënoi mbylljen përfundimtare të procesit.
Tashmë këto mijëra biznese sigurojnë energjinë vetë nga furnizues privatë ose publikë, siç është FTL, ku shumica janë të lidhur me një çmim prej 18.34 lekë/kWh.
Ndikimet pozitive të liberalizimit
Albi Gjenerali, administrator i FTL, thekson se liberalizimi ka pasur vetëm ndikime pozitive dhe se fokusi tani zhvendoset drejt eficiencës.
- Së pari, liberalizimi ka ulur ndjeshëm barrën financiare dhe ekspozimin ndaj riskut të Furnizuesit të Shërbimit Universal SH.A., i cili më parë ishte i detyruar të furnizonte konsumatorët me çmime të rregulluara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).
- Së dyti, ka përmirësuar disiplinën financiare të konsumatorëve jofamiljarë, duke vendosur afate më të shkurtra pagese (30 ditë) dhe duke eliminuar praktikat e mëparshme të vonesave të gjata.
- Së treti, tregu i energjisë elektrike po hyn në një fazë konsolidimi, ku pas përmbylljes së fazave të liberalizimit, fokusi drejtohet kah stabilizimi i mekanizmave të tregut, rritja e transparencës dhe përmirësimi i vazhdueshëm i eficiencës operacionale.
Rritja e numrit të furnizuesve
Si pasojë e liberalizimit, numri i furnizuesve privatë është rritur vit pas viti. Enti Rregullator i Energjisë njoftoi në fund të dhjetorit se bizneset mund të zgjidhnin një prej 40 furnizuesve të licencuar aktualisht, përfshirë ata privatë dhe publikë si FTL dhe Furnizuesi Universal (pjesë e OSHEE Group).
Sipas rregullores së ERE, bizneset duhet të deklarojnë furnizuesin e zgjedhur pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) brenda datës 15 dhjetor të çdo viti. OSSH gjithashtu kryen faturimet, edhe për furnizuesit privatë.
Numri i furnizuesve është rritur nga 22 në vitin 2023, në 36 në fund të vitit 2024 dhe 40 në dhjetor 2025, duke treguar një rritje të përgjithshme të tregut.
Liberalizimi është parë si një proces që do të nxisë tregun e energjisë në drejtim të furnizuesve dhe investimeve, qoftë për tregtimin e energjisë, ashtu edhe për autokonsum, siç ka ndodhur masivisht me fotovoltaikët.
