Veshjet e përdorura dalin nga moda, bien importet
Tregu i veshjeve të përdorura ka pësuar një tkurrje të ndjeshme në pesë vitet e fundit, duke kaluar nga një xhiro importesh prej rreth 20 milionë eurosh në vitet 2015-2016, në më pak se 10 milionë euro aktualisht. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave konfirmojnë këtë trend rënës, pavarësisht se në terren vihet re një shtim i dyqaneve të vogla që tregtojnë këtë lloj malli.
Në periudhën janar-gusht 2025, sasia e veshjeve të importuara të përdorura arriti rreth 4,630 tonë, duke shënuar një rënie prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në terma vlerash, importet për janar-gusht 2025 ishin 4.9 milionë euro, ose 5% më pak se një vit më parë.
Viti 2020 shënoi vlerën më të ulët të importeve të veshjeve të përdorura për periudhën 2020-2024, duke arritur në 8.6 milionë euro, si pasojë e kufizimeve të pandemisë COVID-19. Pas kësaj periudhe, importet u rritën, duke mbërritur në 10.5 milionë euro në vitin 2021, një rritje prej 22% krahasuar me 2020. Megjithatë, tendenca pasuese ishte në rënie, dhe në vitin 2024 vlera e importeve zbriti sërish në 8.6 milionë euro, duke u ulur me 7% krahasuar me 2023.
Në Tiranë, “veshjet e Gabit”, siç njihen ndryshe veshjet e përdorura, tregtohen në ambiente të dyqaneve ku produktet ekspozohen më mirë, duke kaluar nga format e mëparshme të tregtimit në tezgë. Ky transformim është nxitur nga leverdishmëria e biznesit. Veshjet e kategorisë së parë, ose “të dorës së parë”, blihen me çmime rreth 1,000 lekë për kilogram, ndërsa ato të kategorisë së dytë kushtojnë nga 650 deri në 700 lekë për kilogram. Çdo copë tregtohet në pakicë me çmime mbi 2,000 lekë.
Zamira Rreshka, e cila ka 15 vite përvojë në tregun e veshjeve të përdorura me një dyqan në Tiranë, shpjegon se një tjetër arsye për shtimin e numrit të dyqaneve është investimi fillestar relativisht i ulët, i cili varion nga 100 deri në 200 mijë lekë për ngritjen e ambientit të tregtimit dhe furnizimin me mall.
Ajo identifikon dy faktorë kryesorë për tkurrjen e kërkesës:
- Cilësia e ulët e mallrave në tregun e “Gabit”, ku gjithnjë e më pak gjenden veshje firmato.
- Rritja e blerjeve online, veçanërisht nga vajzat e reja.
Zamira thekson: “Në furnizimet e dengjeve që bëjmë, gjejmë gjithnjë e më pak veshje firmato, të cilat më parë nxitnin njerëzit të blinin veshje të përdorura. Për shembull, në një deng mund të ketë vetëm 1-2 copë veshje markash të shtrenjta. Xhupat po preferohen gjithnjë e më shumë të blihen firmato, ndërsa markat kryesore nuk parapëlqehen për veshjet e përdorura. Në furnizimet tona nuk kemi xhupa firmato, ndaj edhe kërkesa për këtë kategori ka rënë shumë. Në përgjithësi, kërkesa për veshje të përdorura është ulur, pasi vajzat e reja zgjedhin të blejnë online. Kategoria që blen më shumë veshje të përdorura janë gratë e punësuara në profesione si mësuese, infermiere dhe mjeke.”
