Trump kundër Maduros: “Trafikantë droge dhe kriminelë të dërguar në SHBA”
Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi qeverinë e Nicolas Maduros për lirimin e të burgosurve dhe dërgimin e tyre drejt Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar ata si “përbindësha” dhe elementë të dhunshëm.
Gjatë një konference për shtyp, Trump deklaroi se Maduro nuk do të jetë më në gjendje të kërcënojë qytetarë amerikanë apo venezuelas. “Ata zbrazën burgjet e tyre, dërguan kriminelët më të këqinj dhe më të dhunshëm në Shtetet e Bashkuara për të vjedhur jetët e amerikanëve. Ishin trafikantë droge, bosë të drogës. Ata i dërgonin të gjithë keqbërësit në Shtetet e Bashkuara, por kjo nuk do të ndodhë më,” tha Trump.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu pretendimet se Venezuela ka “vjedhur” naftë amerikane, duke iu referuar investimeve të bizneseve amerikane në industrinë e naftës së vendit.
Trump lidhi këto veprime me shkeljen e parimeve thelbësore të politikës së jashtme amerikane, të cilat ai tha se datojnë më shumë se dy shekuj, duke përmendur Doktrinën Monroe. “Ne e harruam pak a shumë. Ishte shumë e rëndësishme, por e harruam,” shtoi ai.
“Sipas strategjisë sonë të re të sigurisë kombëtare, dominimi amerikan në Hemisferën Perëndimore nuk do të vihet më kurrë në dyshim. Ne po rivendosim fuqinë amerikane në mënyrë shumë të fuqishme në rajonin tonë,” theksoi Trump.
