Trump blen Greenland: NATO në rrezik?

Wall Street Journal: Trump dëshiron ta blejë Groenlandën, jo ta marrë me mjete ushtarake

Sekretari i Shtetit amerikan iu tha ligjvënësve se Presidenti Donald Trump ka shprehur dëshirën për të blerë Groenlandën nga Danimarka, në vend që ta marrë ishullin Arktik me forcë ushtarake, raportoi të martën gazeta Wall Street Journal, duke cituar burime të informuara për çështjen.

Sipas raportimeve, Sekretari i Shtetit i bëri këto komente gjatë një informimi, pasi anëtari kryesor i Senatit nga Partia Demokratike, Chuck Schumer, kishte pyetur nëse Presidenti Trump po planifikonte të përdorte ushtrinë në vende të tilla si Groenlanda dhe Meksika.

Presidenti Trump, i cili fillimisht shprehu interesin për blerjen e Groenlandës gjatë mandatit të tij të parë, ka theksuar rëndësinë strategjike të pronësisë së ishullit për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe përballjen me marinat ruse dhe kineze.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u shpreh: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë se blerja e Groenlandës është një përparësi e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara dhe është jetike për të penguar kundërshtarët tanë në rajonin Arktik”. Ajo shtoi gjithashtu se “përdorimi i ushtrisë është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit të përgjithshëm”.

Anëtarët evropianë të NATO-s lëshuan të martën një deklaratë duke shprehur mbështetje për Danimarkën dhe duke konfirmuar Groenlandën si territor të saj vetëqeverisës. Kryeministri polak, Donald Tusk, theksoi se asnjë anëtar i NATO-s “nuk duhet të sulmojë ose kërcënojë” një anëtar tjetër, dhe se një konflikt i armatosur midis SHBA-së dhe Danimarkës do të vinte në pikëpyetje tërë aleancën.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, pohoi gjithashtu se një pushtim amerikan do të shënonte fundin e NATO-s. “Nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë një vend tjetër të NATO-s, gjithçka mbaron”, tha ajo.

Ndërkohë, partitë kryesore politike të Groenlandës prej kohësh mbështesin fitimin e pavarësisë ose të një autonomie më të madhe nga Kopenhaga.

Scroll to Top