Trump do të mbajë një fjalim në Malin Rushmore më 3 korrik, përpara festës kombëtare të SHBA-së
Donald Trump do të vizitojë Malin Rushmore më 3 korrik, shkëmbin ikonik ku janë gdhendur fytyrat e katër ish-presidentëve amerikanë. Njoftimi u bë nga organizata që mbikëqyr festimet për 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, e cila u nënshkrua më 4 korrik 1776.
Presidenti amerikan do të mbajë një fjalim në këtë vend simbolik, “nën një nga simbolet më të famshme të vendit të lirisë dhe vetëvendosjes”, thuhet në një njoftim për shtyp të organizatës Freedom 250.
Fjalimi i tij, në prag të festës kombëtare të SHBA-së, pritet të pasohet nga një shfaqje spektakolare fishekzjarresh. Ky njoftim u pasua nga një postim në rrjetet sociale nga Larry Rhoden, duke theksuar rikthimin e presidentit në shtetin e tij (Dakotën e Jugut) për festën me fishekzjarre në Malin Rushmore, ku do të festohej “ditëlindja më e madhe ndonjëherë për kombin dhe trashëgimia e Amerikës për liri, vetëvendosje dhe drejtësi për të gjithë!”.
Mali Rushmore ndodhet në Dakotën e Jugut. Fytyrat e gdhendura në shkëmbin e granitit janë ato të George Washington, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln dhe Theodore Roosevelt.
Vitin e kaluar, një kongresmene republikane paraqiti një projektligj, i cili nuk u miratua, duke propozuar shtimin e fytyrës së Donald Trump pranë atyre të katër paraardhësve të tij. Sipas menaxherëve të atraksionit, siç raportohet nga shtypi amerikan, kjo do të kishte qenë e pamundur për shkak të mungesës së hapësirës së mjaftueshme.
Kohët e fundit, vetë udhëheqësi republikan postoi në platformën e tij Truth Social një imazh të krijuar me Inteligjencë Artificiale, ku shfaqet fytyra e tij e gdhendur në Malin Rushmore, krahas asaj të Uashingtonit, Xhefersonit, Lincolnit dhe Ruzveltit.
