Trump i dërgon mesazh Maduros: Largimi nga pushteti do të ishte veprim i mençur
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do të ishte një veprim i mençur nëse presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, do të largohej vetë nga pushteti.
Trump shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mund të mbajnë ose të shesin naftën që i janë konfiskuar brigjeve të Venezuelës gjatë javëve të fundit.
Fushata e presionit amerikan ndaj Maduros përfshin rritjen e pranisë ushtarake në rajon dhe dhjetëra operacione ushtarake kundër anijeve që dyshohet se kanë trafikuar drogë në Oqeanin Paqësor dhe Detin Karaibe. Raportohet se të paktën 100 persona kanë humbur jetën në këto operacione.
I pyetur nëse qëllimi ishte rrëzimi i Maduros nga pushteti, Trump u është përgjigjur gazetarëve: “Ndoshta edhe mund të jetë. I takon atij të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë. Mendoj se do të ishte gjë e mençur nëse do të vepronte kështu. Por, do të shohim.”
Përveç operacioneve, Trump ka vendosur më parë një “bllokadë” për të gjitha cisternat e naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Gjatë fundjavës, Garda Kufitare e Shteteve të Bashkuara ndoqi një cisternë nafte në ujërat ndërkombëtare, duke shënuar operacionin e dytë të këtij lloji në ditët e fundit dhe të tretin brenda dy javëve.
“Ndoshta do ta shesim, ndoshta do ta mbajmë,” ka thënë Trump kur është pyetur për fatin e naftës së konfiskuar.
Administrata Trump akuzon Venezuelën se përdor të ardhurat nga shitja e naftës për të financuar veprimtari kriminale të lidhura me drogën, akuza këto që Karatasi i hedh poshtë.
