Trump i kërkon presidentit izraelit të falë Netanyahun: Gjyqi është politik dhe i paarsyeshëm
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dërguar një letër presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, duke i kërkuar të shqyrtojë mundësinë e faljes për kryeministrin Benjamin Netanyahu. Zyra e zotit Herzog e bëri të ditur këtë njoftim të mërkurën.
Kryeministri Netanyahu aktualisht po përballet me një proces gjyqësor për korrupsion. Zoti Trump, një aleat i ngushtë i Netanyahut, ka bërë thirrje vazhdimisht që ai të falet. Netanyahu ka mohuar të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.
“Ndërsa e respektoj plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor të Izraelit, unë besoj se ky ‘rast’ kundër Bibit, i cili ka luftuar përkrah meje për një kohë të gjatë – përfshirë edhe kundër armikut shumë të ashpër të Izraelit, Iranit – është ndjekje penale politike dhe e paarsyeshme,” thuhet në letrën e Trumpit, sipas zyrës së Herzogut.
Zyra presidenciale sqaroi se çdo individ që kërkon falje presidenciale duhet të dorëzojë një kërkesë formale, duke ndjekur procedurat e përcaktuara.
Gjatë vizitës së tij në Izrael në tetor, zoti Trump gjithashtu pati bërë thirrje publikisht në Parlamentin e Jerusalemit që presidenti Herzog ta falte kryeministrin.
Kundër Netanyahut u ngrit aktakuzë në vitin 2019 për tri çështje, duke përfshirë akuzat për marrjen e dhuratave me vlerë rreth 211.832 dollarë nga biznesmenë. Edhe pse posti i presidentit izraelit është kryesisht ceremonial, zoti Herzog ka autoritetin të falë të dënuarit në rrethana të jashtëzakonshme.
Gjyqi ndaj Netanyahut, i cili filloi në vitin 2020, ende nuk ka përfunduar, dhe ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat. Netanyahu ka përshkruar procesin e tij gjyqësor si një “gjueti shtrigash” nga e majta, e cila synon rrëzimin e një lideri të djathtë të zgjedhur në mënyrë demokratike.
