Trump kërcënon Kinën me tarifa 155% mbi mallrat

Trump i paralajmëron Kinën: Tarifat do të rriten 155% nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 1 nëntor

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Kinën se nëse të dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje tregtare deri më 1 nëntor, SHBA do të vendosë tarifa prej 155% mbi mallrat kineze.

“Mendoj se Kina na respekton shumë. Ata na paguajnë një shumë të madhe parash në tarifa. Siç e dini, ata paguajnë 55%, që janë shumë para. Ndoshta 155% duke filluar nga 1 nëntori, përveç nëse arrijmë një marrëveshje”, ka deklaruar Trump para bisedimeve dypalëshe me kryeministrin australian.

Presidenti amerikan ka shtuar gjithashtu se do të vizitojë Kinën në fillim të vitit të ardhshëm, pas një ftese nga Pekini.

“Jam ftuar në Kinë dhe do të shkoj diku në fillim të vitit të ardhshëm. Pothuajse e kemi përgatitur”, u tha ai gazetarëve.

Trump shprehu dyshime për mundësinë që Kina të planifikojë një pushtim të Tajvanit.

“Mendoj se gjithçka do të shkojë mirë me Kinën. Kina nuk dëshiron ta bëjë këtë”, siguroi ai kur u pyet për këtë mundësi.

Në të njëjtën kohë, ai shprehu shpresën se Uashingtoni dhe Pekini do të arrijnë një marrëveshje tregtare të fortë pas kontakteve që ai do të ketë në Korenë e Jugut, pasi sipas tij, të dy vendet duhet të përparojnë së bashku.

“Të dy do të jemi shumë të lumtur”, shtoi ai, duke përsëritur dëshirën e tij që Kina të blejë sojë amerikane.

Scroll to Top