Trump lavdëron Erdoganin: Është një udhëheqës i madh, ia ka dalë shumë mirë me Turqinë
Presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi lartë Recep Tayyip Erdogan, duke e cilësuar atë si një udhëheqës të madh dhe duke theksuar se ai ka menaxhuar shumë mirë Turqinë.
Këto komente u bënë gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe presidenti sirian Ahmed al-Sharaa.
“Ai ka pasur një të kaluar të vështirë. Dhe mendoj, sinqerisht, nëse nuk do të kishe një të kaluar të vështirë, nuk do të kishe asnjë shpresë. Ai po ia del shumë mirë me Turqinë, me presidentin Recep Tayyip Erdogan, i cili është një udhëheqës i madh. Erdogan është një udhëheqës i madh. Dhe mbështet fuqishëm atë që po ndodh në Siri. Duhet ta bëjmë Sirinë të funksionojë,” deklaroi Trump.
Gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë mori pjesë edhe ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, i cili pati mundësinë të diskutonte një sërë çështjesh me homologun e tij amerikan, Marco Rubio. Një pjesë e konsiderueshme e takimit iu kushtua situatës në Siri dhe Gaza, siç u theksua edhe nga deklaratat e ministrit të Jashtëm turk pas përfundimit të takimit.
Vizita e Fidan në SHBA u zhvillua në një periudhë kur Ankaraja po përpiqet të sigurojë blerjen e avionëve luftarakë F-16 dhe F-35, ndërsa Uashingtoni ka vendosur kushte për këtë çështje.
Presidenti amerikan pret të shohë se çfarë veprimesh do të ndërmarrë Ankaraja lidhur me sistemet raketore S-400. Në të njëjtën kohë, i kërkoi Turqisë të ndalojë blerjet e gazit natyror dhe naftës ruse, duke shprehur dëshirën për të kufizuar lidhjet e ngushta të Erdogan me presidentin rus Putin.
