Trump: Lufta në Iran do të zgjasë 2-3 javë, analistët shqetësohen

Trump: Lufta në Iran do të përfundojë brenda dy-tri javësh

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të enjten se Shtetet e Bashkuara janë afër “përfundimit të punës” në Iran, por paralajmëroi se ushtria amerikane do të vazhdojë të godasë vendin e Lindjes së Mesme “jashtëzakonisht fuqishëm” edhe për dy deri në tre javë të tjera.

Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit qëkurse nisi lufta, Trump tha se SHBA-ja është afër “arritjes së synimeve”, pas “fitoreve të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese në fushëbetejë; fitore që pak njerëz i kanë parë ndonjëherë”.

Ai shtoi se ka kaluar vetëm një muaj që kur ushtria amerikane nisi “Operacionin Tërbimi Epik”. Trump përshkroi atë që ai e quajti “fitore të mëdha në fushëbetejë”, duke pretenduar se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dobësuar rëndë:

  • “Sonte, marina e Iranit nuk ekziston më. Forcat e tyre ajrore janë në rrënoja”, tha ai.
  • Ai shtoi se figurat e udhëheqjes iraniane “janë të vdekura” dhe se strukturat e komandës po “shkatërrohen teksa ne po flasim”.
  • Trump tha se kapacitetet raketore dhe të dronëve të Iranit janë “kufizuar drastikisht” dhe se infrastruktura e armëve po shkatërrohet.
  • “Kurrë në historinë e luftës një armik nuk ka pësuar humbje kaq të qarta dhe shkatërruese në shkallë të gjerë brenda disa javësh”, pretendoi Trump.

Trump mbrojti luftën si të nevojshme për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. “Ky regjim vrastar gjithashtu së fundmi ka vrarë 45.000 njerëz të vet”, tha ai, duke iu referuar shtypjes së protestave brenda Iranit. “Do të ishte kërcënim i papranueshëm nëse këta terroristë do të kishin armë bërthamore”, shtoi ai.

Ai përsëriti pretendimin se Irani ishte “tamam në prag” të sigurimit të një arme bërthamore dhe se programi i tij raketor mund të jetë kërcënim për Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe rajonet e tjera. Trump kritikoi administratat e mëparshme, duke përfshirë marrëveshjen bërthamore të negociuar nën presidentin Barack Obama.

Trump gjithashtu tha se, megjithëse “parapëlqimi im i parë ka qenë gjithmonë rruga diplomatike”, Irani kishte refuzuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Ai la të kuptohet se ndryshimi i regjimit ka ndodhur, pasi udhëheqësit iranianë “janë tani të vdekur”. Ai paralajmëroi për përshkallëzim të mëtejshëm nëse nuk arrihet një marrëveshje: “Nëse nuk ka marrëveshje, do të godasim secilin nga centralet e tyre të prodhimit të energjisë elektrike shumë fort.”

Presidenti Trump pranoi rritjen e çmimeve të benzinës, duke e cilësuar atë si një rezultat “plotësisht” të sulmeve iraniane ndaj transportit tregtar dhe vendeve fqinje, dhe e përshkroi atë si të përkohshme. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë “plotësisht të pavarura nga Lindja e Mesme” për energjinë, por mbeten të përfshira për të mbështetur aleatët.

Demokratë të lartë kritikuan deklaratat e Trump, duke pretenduar se ai “nuk është më afër arritjes së qëllimeve të tij të paqarta”. Ata përmendën humbjet ushtarake amerikane dhe ndikimet më të gjera rajonale dhe ekonomike, duke i bërë thirrje presidentit të negociojë një armëpushim dhe të punojë drejt një zgjidhjeje diplomatike, duke paralajmëruar për një “luftë katastrofike”.

Analistët shohin mesazhe dhe rreziqe

Analistët vlerësuan se fjalimi kishte për qëllim të formësonte perceptimin publik dhe la paqartësi për hapat e ardhshëm. Jason Brodsky nga United Against Nuclear Iran, sugjeroi se fjalimi synonte të “mobilizonte mbështetjen publike rreth Operacionit Tërbimi Epik”, duke e paraqitur atë si përfundim të një lufte të filluar nga Irani, dhe jo si fillim të një lufte të re.

Ai paralajmëroi se edhe nëse shpallet armëpushim, ekziston rreziku që Irani të vazhdojë sulmet, duke theksuar nevojën për rritjen e presionit nga SHBA për të ndryshuar këtë kalkulim.

Matthew Bartlett, strateg republikan, theksoi se komunikimi është kritik në një luftë, duke adresuar audiencat e brendshme, regjimin iranian, popullin iranian dhe aleatët ndërkombëtarë. Megjithëse fjalimi ishte i nevojshëm, mbeten shumë pyetje pa përgjigje për të ardhmen dhe mundësia për përshkallëzim vazhdon.

Bartlett vuri në dukje se Trump përpiqet të theksojë arritjet ushtarake dhe njëkohësisht të vendosë kushtet për një fazë të mundshme diplomatike, duke përfshirë adresimin e ndërprerjeve ekonomike.

Gregory Brew, analist i lartë në Eurasia Group, parashikoi para fjalimit se Trump do të theksonte si suksesin ashtu edhe nevojën për operacione të vazhdueshme.

Në lidhje me rezervat e uraniumit të pasuruar shumë të Iranit, Trump më parë shprehu mos shqetësim, duke argumentuar se ato janë të vështira për t’u gjetur dhe mund të monitorohen. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kontrolli i Iranit mbi një sasi të konsiderueshme uraniumi të pasuruar shumë mund ta afrojë atë më shumë me prodhimin e armëve bërthamore sesa ishte në rastin e një marrëveshjeje të mëparshme.

Scroll to Top