Trump: Maduro dhe gruaja drejt Nju Jorkut pas arrestimit

Trump: Maduro dhe gruaja e tij ndodhen në një anije për në New York

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë transferuar në një anije me destinacion Nju Jorkun. Deklarata vjen disa orë pas një operacioni ushtarak në Karakas, ku njësia speciale Delta e forcave amerikane arrestoi Maduron dhe bashkëshorten e tij.

Trump konfirmoi se çifti presidencial ndodhet tashmë në rrugë drejt Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se operacioni kishte për qëllim të dërgonte një “mesazh në çdo drejtim”. Sipas presidentit amerikan, Maduro u “kap në një vend që dukej më shumë si një fortesë sesa si një shtëpi”.

Trump zbuloi gjithashtu se kishte folur me të rreth një javë më parë, duke sugjeruar se e kishte paralajmëruar edhe një herë të largohej nga vendi. Ai shtoi se e kishte ndjekur operacionin drejtpërdrejt nga Karakasi, duke e krahasuar atë me “një shfaqje televizive”.

“Nëse e patë shpejtësinë, dhunën… ishte diçka e mahnitshme,” u shpreh Trump, duke shtuar se “asnjë vend tjetër në botë nuk mund ta bënte diçka të tillë”.

Presidenti amerikan iu referua edhe zhvillimeve të pritshme politike në Venezuelë, duke deklaruar se “do të shohim nëse Machado do të marrë përsipër presidencën e vendit,” ndërsa theksoi se “tani ata kanë një zëvendëspresident.”

Ndërkohë, Donald Trump nuk i ka fshehur planet e tij lidhur me pasuritë natyrore të Venezuelës, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara do të përfshihen drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive në naftën e vendit.”

Scroll to Top