Trump: Pa Çmimin Nobel, SHBA Prioritet, Groenlandë në Kontroll

Pa Çmimin Nobel, Nuk Ka Paqe: Mesazhi Shokues i Trumpit për Evropën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen, pasi nuk mori Çmimin Nobel për Paqen. Njëkohësisht, ai ka përsëritur kërkesën për marrjen nën kontroll të Groenlandës.

Në një mesazh drejtuar kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, Trump fajësoi vendin për mosdhënien e çmimit. Ai u shpreh: “Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen për faktin se kam ndaluar 8 luftëra më parë, nuk ndihem më i detyruar të mendoj thjesht për Paqen. Megjithëse ajo do të mbetet gjithmonë prioritare, tani mund të mendoj edhe për atë që është e mirë dhe e drejtë për SHBA-në.”

Ai shtoi se “Bota nuk është e sigurt nëse ne nuk kemi Kontroll të Plotë dhe Total mbi Groenlandën.” CBS News konfirmoi autenticitetin e mesazhit.

Støre sqaroi se mesazhi ishte një përgjigje ndaj një komunikimi që ai dhe presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, i kishin dërguar Trump. Në atë komunikim, ata kundërshtonin rritjen e tarifave dhe kërkonin ulje tensionesh për çështjen e Groenlandës. Kryeministri norvegjez theksoi se Çmimi Nobel për Paqen jepet nga një komitet i pavarur dhe jo nga qeveria.

Trump nga ana e tij, ka këmbëngulur se SHBA-ja duhet të marrë nën kontroll Groenlandën për arsye sigurie kombëtare, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake kundër një vendi anëtar të NATO-s. Ai ka paralajmëruar vendosjen e tarifave deri në 25 për qind ndaj aleatëve që kundërshtojnë planin e tij dhe ka vënë në dyshim të drejtën e Danimarkës mbi Groenlandën, duke deklaruar se “nuk ka dokumente të shkruara” që e justifikojnë atë.

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer ka reaguar duke thënë se çdo vendim për statusin e Groenlandës i përket vetëm popullit të saj dhe Mbretërisë së Danimarkës. Danimarka, Groenlanda dhe aleatët e NATO-s kanë vendosur të rrisin praninë ushtarake në Arktik.

Çmimi Nobel për Paqen këtë vit iu dha lideres së opozitës venezueliane, María Corina Machado, e cila më pas ia dorëzoi medaljen Trumpit, ndonëse Fondacioni Nobel ka theksuar se çmimi nuk mund të transferohet, as simbolikisht.

Scroll to Top