Trump padit BBC për 5 miliardë dollarë; media përgjigjet

Trump padit BBC për 5 miliardë dollarë; media britanike përgjigjet

Ish-Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur një padi prej 5 miliardë dollarësh kundër British Broadcasting Corporation (BBC) për shkak të një redaktimi të një pjese nga fjalimi i tij i 6 janarit 2021, i cili u shfaq në një dokumentar të emisionit “Panorama”. Trump akuzon transmetuesin për shpifje dhe shkelje të një ligji për praktikat tregtare, sipas dokumenteve të paraqitura në Florida.

Më herët, BBC i ka kërkuar falje Trump, por ka hedhur poshtë kërkesat e tij për kompensim dhe nuk ka pranuar se ka pasur bazë për një pretendim për shpifje.

Ekipi ligjor i Trump akuzon BBC-në se e ka shpifur duke manipuluar qëllimisht dhe keqdashëse fjalimin e tij. BBC ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht padisë.

Trump kishte deklaruar muajin e kaluar se planifikonte të padiste BBC-në për dokumentarin, i cili u transmetua në Mbretërinë e Bashkuar para zgjedhjeve të vitit 2024 në SHBA. Ai u tha gazetarëve se ata “mashtruan” dhe “ndryshuan fjalët që dilnin nga goja ime”.

Në fjalimin e tij të 6 janarit 2021, para trazirave në Kapitol, Trump u kishte thënë mbështetësve: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të brohorasim për senatorët, kongresmenët dhe kongresmenet tona të guximshme”. Më vonë në fjalim, ai shtoi: “Dhe ne do të luftojmë. Ne do të luftojmë si djall”. Në programin “Panorama”, një klip e tregoi Trump duke thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit… dhe unë do të jem atje me ju. Dhe do të luftojmë. Do të luftojmë si djall.”

BBC pranoi se redaktimi kishte dhënë përshtypjen e gabuar se ai kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme, por nuk u pajtua se kjo përbënte bazë për një pretendim për shpifje.

Mediat raportuan se në nëntor, një memo e brendshme e BBC-së, e cila u bë publike, kritikoi mënyrën se si ishte redaktuar fjalimi, duke çuar në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, dhe drejtueses së lajmeve, Deborah Turness.

Para se Trump të nguronte padinë, avokatët e BBC-së kishin dhënë një përgjigje të gjatë ndaj pretendimeve të ish-presidentit. Ata thanë se nuk kishte pasur asnjë qëllim të keq në redaktim dhe se Trump nuk u dëmtua nga programi, pasi ai u rizgjodh menjëherë pasi u transmetua. Ata shtuan gjithashtu se BBC nuk kishte të drejta për ta shpërndarë programin “Panorama” në kanalet e saj amerikane dhe nuk e kishte shpërndarë atë. Dokumentari ishte i disponueshëm në BBC iPlayer, por ishte i kufizuar për shikuesit në Mbretërinë e Bashkuar.

Në padi, Trump citon marrëveshjet që BBC kishte me distributorë të tjerë për të shfaqur përmbajtje, veçanërisht një marrëveshje me një korporatë mediatike të palës së tretë, e cila dyshohet se kishte të drejta licencimi për dokumentarin jashtë Mbretërisë së Bashkuar.

BBC ende nuk është përgjigjur ndaj këtyre pretendimeve, ashtu si edhe korporata me marrëveshjen e pretenduar të shpërndarjes. Padia pretendon gjithashtu se njerëzit në Florida mund të kenë pasur qasje në program duke përdorur një VPN ose duke përdorur shërbimin e transmetimit BritBox. Në padi thuhej: “Publiciteti i Dokumentarit Panorama, së bashku me rritjet e konsiderueshme të përdorimit të VPN-ve në Florida që nga debutimi i tij, vërteton mundësinë e madhe që qytetarët e Floridës kanë pasur akses në Dokumentarin përpara se BBC ta hiqte atë.”

Scroll to Top