Trump padit BBC për shpifje, kërkon 10 miliardë dollarë

Presidenti Trump padit BBC për shpifje, kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paditur të hënën transmetuesin britanik BBC, duke kërkuar dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh për akuza shpifjeje, si dhe për praktika tregtare mashtruese dhe të padrejta, raporton agjencia “AP”.

Padia, e cila përfshin 33 faqe, akuzon BBC-në se ka transmetuar “përmbajtje të rreme, shpifëse, mashtruese, përçmuese, nxitëse dhe dashakeqe për presidentin Trump”, duke e cilësuar si një “përpjekje të paturpshme për të ndërhyrë dhe ndikuar” në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2024.

BBC akuzohet për bashkimin e dy pjesëve të ndara të një fjalimi të mbajtur nga Trump më 6 janar 2021, gjatë trazirave në Kongres. Sipas padisë, qëllimi ka qenë “për të keqinterpretuar qëllimisht kuptimin e asaj që tha presidenti Trump”.

BBC-ja nuk ka lëshuar ende ndonjë reagim lidhur me padinë. Transmetuesi britanik i kishte kërkuar Trumpit falje muajin e kaluar për një ndërhyrje në fjalimin e 6 janarit. Megjithatë, transmetuesi publik hodhi poshtë pretendimet për shpifje. Kreu i BBC-së, Samir Shah, e kishte quajtur atë një “gabim vlerësimi”. Si pasojë e atij gabimi në emisionin Panorama, pasuan dorëheqjet e kryeredaktorit dhe drejtorit të lajmeve.

Trump kishte mbajtur fjalimin para se disa nga mbështetësit e tij të sulmonin Capitolin në SHBA, ndërsa Kongresi ishte gati të certifikonte fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020. Trump pretendonte se fitorja i ishte vjedhur.

BBC-ja kishte transmetuar dokumentarin njëorësh me titullin “Trump: Një shans i dytë?”, disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së të vitit 2024. Në atë dokumentar ishin bashkuar tri citate nga dy pjesë të ndryshme të fjalimit të vitit 2021, fjalim që zgjati afro një orë. Në dokumentar u krijua një citat në të cilën jepej përshtypja se Trump po u bën thirrje mbështetësve të marshonin dhe të “luftonin”. Midis dy pjesëve të prera të fjalimit ishte edhe një pjesë ku Trump u tha protestuesve se do që të protestojnë në mënyrë paqësore.

Trump kishte thënë më herët të hënën se po padiste BBC-në për shpifje.

Scroll to Top