Trump: Konflikti Rusi-Ukrainë komplikohet nga armiqësia personale e udhëheqësve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës është i ndërlikuar nga armiqësia personale mes udhëheqësve të dy vendeve, por shprehu bindjen se paqja është e mundur.
Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një darke dypalëshe me kryeministrin australian, Anthony Albanese. “Mendoj se do të arrijmë dëshirën tonë për të gjetur një zgjidhje për Rusinë dhe Ukrainën, por situata është e ndërlikuar sepse kemi dy udhëheqës që vërtet e urrejnë njëri-tjetrin,” tha Trump.
I pyetur nëse Ukraina do të ishte në gjendje të fitonte luftën, Trump u përgjigj: “Nuk mendoj se do ta fitojnë, por prapëseprapë mund të fitojnë. Nuk kam thënë kurrë se do ta bënin. Thashë se mund të fitonin – çdo gjë mund të ndodhë në luftë. Lufta është diçka shumë e çuditshme, ndodhin gjëra të mira, ndodhin gjëra të këqija.”
Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara po bëjnë çmos për të arritur një marrëveshje në këtë konflikt: “Po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje. Nëse arrihet, shkëlqyeshëm. Nëse jo, shumë do të paguajnë një çmim të lartë.”
