Trump paralajmëron sërish Iranin: Përshkallëzimi ushtarak mbetet në tavolinë
Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar të zbulojë hapat e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në bisedimet me Iranin, por ka lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të madh ushtarak.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet se çfarë do të ndodhë pas raundit të fundit të negociatave me Teheranin, të cilin më herët e kishte cilësuar si “shansin e fundit” të Iranit për të shmangur një veprim të mundshëm ushtarak.
“Do ta merrni vesh”, u përgjigj Trump.
I pyetur nëse një “përshkallëzim masiv” ndaj Iranit vazhdon të jetë një opsion, presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e kanë kapacitetin për ta ndërmarrë një veprim të tillë nëse ai vendos ta bëjë.
“Ne e kemi atë mundësi nëse duam ta bëjmë”, tha Trump, duke shtuar: “Po, do ta merrni vesh”.
Trump nuk dha detaje se çfarë lloj veprimi ushtarak mund të ndërmerret dhe nuk konfirmoi nëse ndonjë operacion i ri është autorizuar.
