Trump paralajmëron për ndërhyrje nëse Irani vret protestuesit; Teherani kundërpërgjigjet
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u ka bërë thirrje autoriteteve iraniane që të përmbahen nga përdorimi i dhunës kundër protestuesve paqësorë, duke theksuar se Uashingtoni “do t’u vijë në ndihmë” nëse ata vriten.
Në një deklaratë të shkurtër të publikuar në rrjetet sociale, Trump ka shkruar se SHBA është “gati dhe e përgatitur”, pa dhënë detaje specifike mbi veprimet e mundshme. “Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, gjë që është zakon i tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndihmojnë”, ka shkruar presidenti amerikan.
Nga Teherani ka ardhur një reagim i menjëhershëm. Ali Larijani, një këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem Ayatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane do të sillte kaos në gjithë Lindjen e Mesme dhe do të dëmtonte interesat e SHBA-së.
“Trump duhet të jetë i kujdesshëm. Trump duhet ta dijë se ndërhyrja e SHBA-së në këtë çështje të brendshme do të thoshte destabilizim të tërë rajonit dhe shkatërrim të interesave të Amerikës”, është shprehur ai.
Këto paralajmërime vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara. Gjatë ditës së enjte janë raportuar të paktën gjashtë viktima në Iran, në ditën e pestë të protestave masive të shkaktuara nga përkeqësimi i kushteve ekonomike dhe rënia e fortë e monedhës vendase, riali, kundrejt dollarit amerikan.
Sipas raportimeve, të paktën 6 persona u vranë në Iran të enjten, pas pothuajse një jave protestash masive të shkaktuara nga përkeqësimi i kushteve ekonomike. Protestat nisën të dielën në Teheran, fillimisht nga tregtarë të zemëruar për rënien e monedhës, dhe u përhapën shpejt në universitete dhe qytete të tjera, ku u dëgjuan thirrje kundër udhëheqjes klerikale.
Disa protestues kanë kërkuar fundin e sundimit të Khamenei-t, ndërsa të tjerë kanë shprehur dëshirën për rikthimin e monarkisë. Këto konsiderohen protestat më të përhapura që nga demonstratat e vitit 2022 pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini-t, megjithëse jo në të njëjtën shkallë.
