Trump: Kemi nisur pastrimin e Ngushticës së Hormuzit nga minat, aleatët tanë nuk guxuan ta bënin
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë deklarata të forta lidhur me situatën në Ngushticën e Hormuzit, në një kohë kur vijojnë bisedimet direkte mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad.
Në një postim në platformën Truth Social, ai pretendoi se “ka nisur pastrimi i Hormuzit”, duke shtuar se “të gjitha 28 anijet iraniane që vendosnin mina janë fundosur”.
Trump kritikoi gjithashtu mediat amerikane, të cilat sipas tij pasqyrojnë në mënyrë të pasaktë situatën. Ai deklaroi se Irani “po humb në çdo front”, duke përmendur flotën detare, forcën ajrore dhe kapacitetet me raketa e dronë. Ai shtoi se infrastruktura ushtarake iraniane është dëmtuar rëndë dhe bëri komente edhe për lidershipin e vendit.
Në të njëjtin mesazh, Trump njoftoi nisjen e një operacioni për “pastrimin” e Ngushticës së Hormuzit, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për sigurinë e lundrimit global dhe për interesat e vendeve si Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Franca dhe Gjermania. Ai ironizoi gjithashtu disa shtete që, sipas tij, nuk kanë vullnet për të ndërmarrë vetë veprime të tilla.
Ndërkohë, sipas raportimeve të Axios, disa anije të Marinës amerikane kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit në një lëvizje që nuk është koordinuar me palën iraniane.
